Të mërkurën luhet java e fundit e Kategorisë Superiore, ku pritet të mësohen dy verdikte mjaft të rëndësishme, si skuadra kampione dhe ekipi i dytë që shoqëron Apoloninë në Kategorinë e Parë. Si asnjëherë më parë, titulli diskutohet mes katër skuadrave, Teuta, Vllaznia, Partizani e Laçi, por 90 minuta para fundit, vetëm njëra prej tyre do arrijë të ngre lart trofeun.

Teuta niset më e favorizuar, me durrsakët që janë në vendin e parë me 63 pikë dhe sezonin  e mbyll me Apoloninë që luan pa pretendime. Ekipi i Edi Martini nuk pritet të has probleme për të marrë 3 pikët. Në rast të një barazimi Teuta do shpresonte që të ndalohen edhe rivalët, me kurbinasit që sfidojnë shkodranët në Shkodër në aktin e fundit sezonal. Ndërkaq, në rast se Teuta e Vllaznia e mbyllin me kuotë të njëjtë pikësh, durrsakët favorizohen me golavarazh më të mirë, +1.

Trajneri Bërdaric shtoi dozat e motivimit pas fitores me Partizanin dhe përballë Laçit shpreson të marrë maksimumin dhe të përfitojë nga një barazim ose humbje e Teutës për të fituar titullin. Të njëjtën gjë shpresojnë dhe Partizani e Laçi, që në rast të një disfate të  Teutës dhe Vllazninë do fitonin trofeun e Superligës.

Pavarësisht gjithçkaje, të katër ekipet do përfaqësojnë Shqipërinë në Kupat e Europës. Sa i përket mbijetesës, dueli është mes Kastriotit dhe Bylisit. Barazimi 1-1 i së shtunës mes tyre komplikoi pozitat, që tashmë duhet të marrin 3 pikët për të shmangur rënien, pasi play-out është i sigurt për njërën prej tyre.

Kastrioti sfidon Kukësin pa pretendime, ndërsa Bylis që aktualisht bie një kategori më poshtë ka një mision të vështirë ndaj Partizanit. Të kuqtë janë në garë për titull dhe ndaj ballshiotëve do kërkojnë vetëm fitoren. Përballja mes Tiranës e Skënderbeut do vlejë thjeshtë për statistikë.

Klan News