Nga sot i hapet rruga konstituimit të qeverisë së re e cila për t’u miratuar duhet të kalojë njëherë nga institucioni i Presidencës. Kryeministri Edi Rama deklaroi përpara gazetarëve se për aq kohë sa Presidenti Ilir Meta është në detyrë ai do të betohet tek ai edhe pse mazhoranca që ai drejton ka kërkuar shkarkimin e kreut të shtetit.

Unë do të jem gjithmonë i buzëqeshur, por ka një dallim të qartë për të gjithë, që është dallimi midis qëndrimeve politike dhe distancimeve të natyrës politike. Për sa kohë që Presidenti Ilir Meta është në zyrë dhe në pritje për t’u gjykuar nga gjykata më e lartë e vendit, mbetet në detyrë. Nuk varet nga dëshira jonë. Ne e kemi marrë vendimin tonë. E kemi shkarkuar, por kjo është republikë kushtetuese dhe ka dy hallka”, tha Rama.

Kryeministri  vlerësoi kryetaren e re të Kuvendit Lindita Nikolla.

Nga sot Kuvendi ka në krye një grua të admirueshme, një kolege të respektuar nga të gjithë dhe patjetër edhe një politikane e cila asnjëherë nuk i ka fryrë  zjarrit të konfliktit. Është një lajm i mirë. Është një moment i mirë”.

Rama foli edhe për gjestin e tij në procesin e votimit për kryetaren e re të Kuvendit ku i mblodhi fletët e grisura të opozitës në një qese, duke paaralajmëruar edhe një ligj të ri. 

Sa i përket pastaj pyetjes që më bën kolegu juaj, ky mandat do të jetë shumë i rëndësishëm në përpjekjen për të pastruar Shqipërinë. Së shpejti do të marrim një vendim për ndalimin e qeseve plastike dhe po përgatitemi për një paketë të re që të kenë një nivel tjetër përgjegjshmërie dhe raporti me mjedisin. Ishte një gjest krejt instiktiv kur jemi në kushtet kur po punojmë prej dy muajsh për programin. Qesen e kërkova sepse nuk e kisha me vete, do t’i ndalojmë qeset plastike”./tvklan.al