A do të ketë një marrëveshje Greqi-Shqipëri për detin Jon?



A do të ketë një marrëveshje Greqi-Shqipëri për detin Jon?

12:48 20/10/2020

Burime diplomatike nga Ambasada greke në Tiranë, bëjnë me dije për DW programin e vizitës zyrtare që do zhvillojë sot, e martw ( 20.10) në Tiranë, Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikolaus Dendias.

Kreu i diplomacisë greke Nikolaus Dendias do të takohet sot me autoritetet drejtuese të Shqipërisë. Vizita e Dendias nis me takimin me Ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ku bëhet me dije se tema qëndrore e bisedimeve do të jenë marrdhëniet dypalëshe, ꞔështje europiane dhe rajonale, zhvillimet ne Mesdheun Lindor dhe perspektiva europiane e BallkanIt Perëndimor.

Programi i ministrit Dendias vijon me takime me kryeministrin Rama dhe Presidentin Meta, liderin e Partisë Demokratike (PD) dhe të opozitës jashtë parlamentit, Lulzim Basha dhe kryetarin e Partisë “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, Vangjel Dule.

Në përfundim të vizitës, Ministri i Jashtëm grek do të takohet edhe me Hirësinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Vizta e Ministrit Dendias në Tiranë shihet edhe si rihapja zyrtare e negociatave për ndarjen mes dy vendeve fqinjë të Detit të përbashkët Jon dhe ecjen drejt një marrveshjeje të re.

Vizitë e paralajmëruar: Koha për ndarjen e detit Jon

Vizita e sotme e Ministrit grek u paralajmërua që në korrik të këtij viti, kur kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha në Parlament (26.08) se qeveria e tij “synon të zgjerojë hapësirat e saj detare edhe në detin Jon deri në 12 milje, sipas të gjitha konventave ndërkombëtare” dhe bëri me dije vizitën së shpejti në Tiranë të Ministrit të Jashtëm, Nikolaus Dendias.

Kryemnistri Rama e cilësi këtë deklaratë të tillë ku “Greqia po ushtron të drejtën e saj ”gjë që shkaktoi akuzat e PD se ka një marrveshje sekrete Rama – Mitsotakis për ꞔështjen e detit Jon.

Kryemnistri Rama ofroi një muaj më parë, në një forum të revistës “Economist” të zhvilluar në Athinë, dy alternativa për arritjen e një marrëveshjeje Shqipëri – Greqi për ndarjen e hapësirave/zonave detare mes dy vendeve në detin Jon: zgjidhjen nëpërmjet një pale të tretë apo  gjykatave ndërkombëtare për një zgjidhje “te drejtë dhe objektive”. Rama tha në Athinë se “dy palët janë në rrugën e duhur” dhe se shpreson “të arrijnë dakortësi”.

A do të arrihet më në fund një marrëveshje?

Shpresat janë por fakti është që mes dy vendeve nuk ka marrveshje për ndarjen e Detit të përbashkët Jon. Kjo është hera e tretë që palët tentojnë të bien dakort dhe arrijnë një marrëveshje. Ndarja e Detit Jon  mes dy vendeve fqinjë ka të bëjë me ndarjen e tri hapësirave: Detit Territorial, Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, ku këto të fundit lidhen me shfrytëzimin e hapësirës dhe pasurive nëndetare, kërkimet për gaz, naftë etj. Me pak fjalë edhe Shqipëria, edhe Greqia kanë interesa strategjike në ndarjen  e Detit Jon. Duket qartë  që palët kanë kundërshti përderisa Rama flet për zgjidhje “përmes një pale të tretë apo Gjykatave Ndërkombëtare”.

Për më tepër kur kjo cështje ka dy precedent negativë: në vitin 2009 Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë  (GJK) hodhi poshtë Marrëveshjen e Detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, të nënshkruar nga dy palët, kur në Shqipëri në pushtet ishte PD. GJK e  konsideroi marrëveshjen e para 11 viteve “antikushtetuese, të karakterizuar nga moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve dhe arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm”.

Precedenti i dytë i takon vitit 2017 kur negociatat rinisën dhe u pezulluan në verën e vitit të kaluar, kur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi, të humbura nga ish-kryeministri Cipras dhe të fituara nga kryeministri aktual Mitsotakis, në korrik 2019 duket se e spostuan Marrëveshjen e Detit me Shqipërinë nga prioritetet e Greqisë për ta rivendosur atë pikërisht këtë vit.

Sipas Konventës Ndërkombëtare të Detit, zgjerimi i ujërave territoriale deri në 12 milje ndodh kur këtë e lejojnë rrethanat gjeografike. Mes Shqipërisë dhe Greqisë hapësirat në Detin e përbashkët Jon, janë të kufizuara.

Nuk ka ende informacion se ꞔfarë do të rinegociohet mes palëve, a do të fillojnë rinegociatat ate ku mbetën në verën e kaluar apo do fillojnë nga e para, informacion që pritet të jepet në konferencën e sotme për shtyp Rama-Dendias./DW




Të ngjashme