Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka reaguar sot në Kuvend për rastet e abuzimit seksual me të miturit.

Ajo u shpreh se ndihet e keqardhur për çdo rast i cili nuk është mundur të parandalohet. Shahini u është përgjigjur edhe akuzave që janë hedhur drejt Ministrisë që ajo drejton, për mosparandalimin e këtyre rasteve.

“Gjysma e rasteve janë zbuluar nga stafi i shkollës dhe janë denoncuar nga po ata në institucionet e drejtësisë. Nxënës të cilët janë abuzuar në shtëpi apo në lagje, ka qenë pikërisht një mësues që ka parë se diçka nuk shkon, kanë marrë masa me gjithë strukturën e shkollës për të identifikuar abuzimin dhe denoncuar atë. Të gjitha këto raste kanë një gjë të përbashkët, një fakt të rëndësishëm, të gjithë abuzuesit kanë qenë persona të afërt apo të njohur nga fëmijët. Babai, vëllai, kushëriri, stafi i shkollës apo nxënës. Është ky fakt që bën kaq vështirë të dukshme këto raste, sepse abuzimi ndodh nga persona që fëmija ka në afërsi dhe fshehja për shumë gjatë është e mundshme”.

Shahini u shpreh se për rastet kur abuzuesi ka qenë një person që është takuar në shkollë, atëherë janë marrë masa të menjëhershme, si pezullim dhe shkarkim i personave të përfshirë që ndiqen më pas penalisht, personave përgjegjës të shkollës si drejtorët, psikologë apo mësues kujdestarë, deri në një investigim dhe vërtetim nëse kanë qenë apo jo neglizhentë ndaj rastit. Po ashtu ajo tha se bëhet dhe hetim i thelluar i gjendjes së përgjithshme në shkollë duke marrë në pyetje nxënësit apo komunitetin, me qëllim parandalimin e rasteve në të ardhme, si dhe shërbim psikoso-social për nxënësit që mund të kenë përjetuar një abuzim i tillë.

“Për rastet kur abuzuesi ka qenë në familje apo në komunitet, janë marrë të gjitha masat më të rënda ndëshkimore ndaj abuzuesve nga organet e drejtësisë”.

Por Shahini tha se duket se gjithë këto masa të sipërpërmendura nuk mjaftojnë.

“Duhet të kuptojmë që abuzimi po ndodh në një kontekst të një patriarkalizmi të thellë, ku gratë dhe vajzat objektifikohen, ndërsa nga burrat dhe djemtë po pritet një sjellje grabitqare dhe abuzuese. Më gjeni një grua që nuk është ngacmuar seksualisht, që nuk i është hedhur ndonjë fjalë në rrugë, punë apo shkollë, me qëllim ofendimin, turpërimin apo të objektifikohet. Përkundër faktit që ngacmimi seksual është i dënueshëm, dhe përkundër faktit që gati gjysma e popullatës janë ngacmuar të paktën një herë në jetë, prapë kjo praktikë vazhdon nga burrat dhe vazhdon të mos raportohet nga gratë, dhe është ky konteksti që mundëson dhunën ndaj vajzave dhe grave si dhe abuzimin e grave”.

Ajo u shpreh se  Ministria e Arsimit, sa kohë të jetë Shahini në krye, asnjëherë nuk do të prononcohet  për rastet individuale të abuzimit, sepse sipas saj kjo kontribuon në riabuzimin e viktimave.

“Strukturat arsimore do të flasin publikisht për fenomenin, do marrin masa parandaluese… të njëjtën gjë e pres dhe nga organizatat joqeveritare që merren me të drejtat e grave dhe fëmijëve, ndërpritni menjëherë daljen në mediat me informacion identifikues për personat që ju duhet t’i mbroni”.  /tvklan.al