Grabitësi që mbeti i vrarë mesditën e së martës, pas marrjes së disa miliona eurove në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, është Admir Murataj.

Viktima u identifikua nga bashkëshortja dhe vëllai i tij, në morgun e kryeqytetit. Të afërmit u thirrën pasi Policia Shqiptare e kishte identifikuar me parë nëpërmjet gjurmëve të gishtërinjve, që kishte dërguar menjëherë pas ngjarjes në Greqi, ku Murataj ishte i skeduar.

Ai ishte i arrestuar për grabitje bankash me armë dhe u arratis në vitin 2013 nga burgu i Trikallës. Pas arratisjes ai u kthye në Shqipëri, ku organizoi disa grabitje bankash. Policia ka të dokumentuara tre prej tyre, veç asaj të ditës së martë.

Grabitja e parë e realizuar prej tij ishte ajo e 13 Shkurtit të vitit 2015, në afërsi të Stacionit të Trenit, ku jashtë një banke të nivelit të dytë, në makinën e transportit të valutave të kompanisë Gjici u morën rreth 1.2 milionë euro.

E dyta ndodhi më 3 Dhjetor në aksin rrugor Qafë Kashar-Rinas, në afërsi të kryqëzimit të Laknasit, ku në blindin e kompanisë “Rogat”, Murataj dhe 3 persona të tjerë morën afro 3.8 milionë Euro.

Grabitja e tretë është ajo e 9 Shkurtit 2017, ku në të njëjtën rrugë grupi i Admir Muratajt i zuri pritë një blindi të kompanisë “Jaguar” dhe mori rreth 3.2 milionë Euro.

Në këtë grabitje u përfshinë 9 persona, 8 prej të cilëve përfunduan në pranga, mes tyre edhe vëllai i Muratajt. Ata janë dënuar në total me 106 vjet burg. Policia pati zhvilluar disa aksione për kapjen e tij, por pa sukses.

Që prej kësaj grabitje Murataj besohet se nuk ka lëvizur nga Shqipëria. Dhe ndonëse në kërkim, ai mundi të planifikojë edhe grabitjen e tij të fundit, që rezultoi fatale për të.

Ai u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe bashkëpunëtorët e tij e hodhën nga furgoni me logot e “Hetimit Tatimor”, që përdoren për grabitjen.

Vëllai i tij hedh dyshime se Murataj mund të jetë përdoruar nga persona të tjerë.

Tv Klan