Agjencitë e zbulimit të SHBA: Kina, një kërcënim i pashembullt



Agjencitë e zbulimit të SHBA: Kina, një kërcënim i pashembullt

19:46 14/04/2021

Drejtuesit e agjencisë amerikane të zbulimit paralajmëruan të mërkurën për “kërcënimin e pashembullt” që vjen nga Kina, duke përmendur agresionin rajonal të Pekinit, aftësitë kibernetike dhe ndikimin ekonomik.

“Kina gjithnjë e më shumë është një konkurrente që sfidon Shtetet e Bashkuara në aspekte të shumta, ndërsa bën presion për të ndryshuar normat globale në mënyra që favorizojnë sistemin autoritar kinez,” tha Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines përpara Komisionit të Senatit për Zbulimin, gjatë një seance dëgjimore të titulluar “Kërcënimet në botë”.

“(Kina) gjithashtu ka aftësi të konsiderueshme kibernetike që nëse përdoren, së paku, mund të shkaktojnë ndërprerje të përkohshme në shkallë lokale të infrastrukturave kritike brenda Shteteve të Bashkuara,” tha zonja Haines.

Ajo gjithashtu përmendi si kërcënime të rëndësishme përpjekjet ruse për të minuar ndikimin e SHBA, rolin e Iranit në paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme, terrorizmin global dhe përpjekjet e mundshme të Koresë së Veriut për të “futur pyka” midis Uashingtonit dhe aleatëve të tij.

Raporti i zonjës Haines dhe i drejtorëve të tjerë të agjencisë së inteligjencës shënoi dëgjesën e parë publike me titull “Kërcënimet në botë”, që nga janari 2019, ku diskutohet mbi kërcënimet globale ndaj Shteteve të Bashkuara. Ato nuk u mbajtën gjatë dy viteve të fundit të administratës së ish Presidentit Donald Trump, i cili shpesh u përplas me agjencitë e sigurisë së vendit.

Senatori demokrat Mark Warner, kryetar i komisionit, tha se ishte i “zhgënjyer” që nuk kishte pasur një seancë të tillë vitin e kaluar. Edhe senatori republikan Marco Rubio përmendi rëndësinë e seancës.

Senatori Warner vuri në dukje përpjekjen e Pekinit për ta bërë firmën kineze të teknologjisë Huawei një lider të sistemeve të përparuara 5G dhe tha se ishte i shqetësuar se Kina mund të ndërmerrte përpjekje të ngjashme në teknologjitë e tjera në zhvillim.

Duke vënë në dukje rreziqet e piraterisë ndërkombëtare kompjuterike si sulmi i fundit kundër kompanisë SolarWinds, zoti Warner tha: “Ndoshta ne duhet të propozojmë norma të reja ndërkombëtare, ku të ndalohen lloje të caktuara sulmesh, ashtu siç ndalohet përdorimi i armëve kimike ose biologjike”.

“Mjedisi i sotëm teknologjik lejon që kundërshtarët të shkaktojnë dëme të mëdha,” tha nga ana e tij senatori Rubio.

Dëshmuan gjithashtu drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës William Burns, Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit Christopher Wray, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Paul Nakasone dhe Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, Gjeneral Lejtnant Scott Berrier.

Seanca u zhvillua një ditë pasi agjensitë amerikane të inteligjencës amerikane lëshuan një raport gjithëpërfshirës mbi kërcënimet globale. Sëmundjet, hendeku me të varfërve dhe të pasurve, ndryshimi i klimës dhe konfliktet brenda dhe midis shteteve do të paraqesin sfida më të mëdha në dekadat e ardhshme, ndërkohë që pandemia COVID-19 i ka rënduar tashmë disa nga këto probleme, thuhet në raportin e Këshilli Kombëtar të Zbulimit./VOA







Të ngjashme