Reshjet e dëborës janë rikthyer në zonat e thella në veri të vendit, duke bllokuar disa zona të thella malore.

Të gjithë fshatrat e njësisë administrative Shalë dhe Shosh në Shkodër janë të bllokuara pasi trashësia e dëborës arrin në rreth 70 cm. Të pakalueshme janë edhe akset rurale Shkodër-Bregu i Lumit, Bogë-Theth dhe Drisht-Shllak.  Në zonat më të uleta dëbora i ka lënë vendin reshjeve te shiut.

Më e përmirësuar është situata në Kukës ku rrugët janë të kalueshme, ndërsa të bllokuara janë një pjesë e rrugëve në fshatrat Kalis, Bushtricë dhe Grykë-Çajë dhe Arrën. Ndryshimi i motit ka sjellë rritjen e prurjeve në hidrocentrale.

Në Dibër përveç aksit rrugor Ura e Çerenecit-Steblevë ku ka pasur vështirësi nga ngrica, të gjitha rrugët e tjera janë të kalueshme.

Edhe në juglinde dëbora mban të bllokuara disa zona të thella të Librazhdit. Problematike situata është në Orenjë, ku  rrugët e fshatit Dranovicë dhe Kostenjë janë të pakalueshme.

Sipas sinoptikanëve, e enjta pritet të sjellë ulje të temperatuarve me 2 gradë dhe rikthim të dëborës edhe në zonat e ulëta. Vetëm në fundjavë pritet që moti të përmirësohet, por duke sjellë sërish reshje shiu në të gjithë vendin.

Tv Klan