Aksident i rëndë me vdekje në Lushnje. Rreth orës 05:15 në aksin rrugor “Divjakë-Lushnjë”,  automjeti tip furgon “Benz” që drejtohej nga 22-vjeçari Ismail Osmani është përplasur me një motor i cili drejtohej nga Gëzim Allpici 44 vjeç.

Si pasojë e përplasjes së fortë ka humbur jetën në vend drejtuesi i motorrit dhe është plagosur rëndë drejtuesi i furgonit me targa AA 893 HC.

Për të shmangur aksidentit, 22-vjeçari që ka qenë duke udhëtuar nga rrethrrotullimi i Çermës drejt Divjakës tentoi të devijonte mjetin dhe është përplasur me një shtyllë elektrike jashtë rrugës.

Policia dokumentoi ngjarjen ndërsa banorët tregojnë atë se çfarë dëgjuan dhe panë nga ky aksident.

“Ishte katastrofë. Aksident si ky nuk mbaj mend ndonjëherë.”

Banorët ngrenë shqetësimin duke thënë se mjetet ecin me shpejtësi të lartë, pavarësisht se është një zonë urbane.

“Këtu ecin makinat pa hesap. Një zonë e banuar, këta ecin sikur ta kenë private dhe të mos ketë makina përpara. Shumë shpejtësi.”

Aksi rrugor rrethrrotullimi i Çermë-Divjakë është rikonstruktuar një vit më parë dhe fluksi i mjeteve që e përshkojnë është i lartë.

Klan News