200 milionë lekë për objektet e pabanueshëm

200 milionë lekë të rinj është fondi i miratuar për bashkinë e Tiranës për të bërë ekspertizën e thelluar të objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Burime pranë bashkisë së Tiranës thanë për TV Klan se ky fond i miratuar me VKM do të shërbejë për të bërë aktet e thella të ekspertizës për pallatet dhe shtëpitë private të cilat janë shpallur të pabanueshëm nga instituti i ndërtimit.

Pas përfundimit të akt-ekspertizës do të merren vendime për projekt-zbatimet dhe rikonstruksionin e objekteve të dëmtuara.

Në Tiranë janë 996 objekte që do i nënshtrohen ekspertizës së thelluar, prej tyre 448 pallate dhe 548 shtëpi banimi për të cilat do të merret vendim nëse do të shemben apo do të riparohen.

Për këtë të fundit do të dalë edhe kostoja e riparimit për çdo objekt të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe i shpallur i pabanueshëm.

Ndërkohë që për disa shkolla në Tiranë po kryhet oponenca teknike për të parë nëse plotësojnë kërkesat e qëndrueshmërisë mekanike dhe sigurisë.

Tv Klan