Mjekët e Spitalit Infektiv kanë dalë në një deklaratë pas akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se është fshehur numri i të vdekurve nga Covid.

Drejtoresha e Infektivit, Najada Çomo, tha se deklaratat e Bashës të bëra nga studioja e emisionit “Opinion” janë tronditëse dhe godasin përpjekjet e bluzave të bardha në luftën kundër Covid.

Çomo tha se numri i viktimave të Covid, nuk mund të fshihet nga mjekët pasi ka një sërë procedurash derisa trupi i të ndjerit të dërgohet në morg. Ajo bëri thirrje që të mos bëhet lojë politike me vdekjen e njerëzve.

“Shprehim publikisht habinë tonë për akuzat e bëra dje nga kreu i PD-së Lulzim Basha në një emision televiziv. Janë akuza tronditëse që vendosin në goditje profesionalizmin tonë si mjek, por janë dhe goditje të befasishme të përpjekjeve tona më shumë se 9 mujore me Covid-19. Nuk duhej kurrsesi të arrihej deri këtu dhe nuk është aspak dëshira jonë që të merremi me deklarata publike, por përballë akuzash të tilla e kemi të domosdoshme të informojmë opinionin publik si vijon. Nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit. Shkaku i humbjes së një jete në spital nuk mund të përcaktohet as nga politikanët as nga kushdo qoftë përveç mjekut përkatës. Kartelat bashkëshoqëruese të të ndjerit nuk e zëvendësojnë dot deklaratat bombastike që venë në pikëpyetje venë vetë humanizmin e autorëve të tyre në një kohë kaq të vështirë për njerëzit. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe aq më tepër një ekip i tërë mjekësh të mund të parafytyrohet dhe akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet në përmasat e deklaruara. Bëjmë me dije se nëse kjo akuzë do të përsëritet do të ftojmë organet kompetente që të hetojnë duke bërë verifikimin e çdo kartele mjekësore. Nuk do të lejojmë pa ballafaquar me mënyrë miqësore apo ligjore këtë cënim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional. T’i jepet fund lojës politike dhe mediatike me humbje jete që ka sjellë telashe për bluzat e bardha gjithë këto vite”, tha Çomo.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi qeverinë se ka fshehur numrin e viktimave nga koronavirusi në vend. Në emisionin “Opinion”, Basha nxori disa dokumente që sipas tij janë marrë nga morgu dhe që sipas tij në vend të 509 viktimave të raportuara zyrtarisht që nga nisja e pandemisë janë realisht 923 jetë të humbura nga virusi./tvklan.al