“Gënjeshtër e madhe”. Kështu i konsideron kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, akuzat e opozitës për Mariglen Qaton. Ky i fundit u akuzua nga Këlliçi një ditë më parë se pasi ka qenë drejtor i UKT-së dhe IMT-së ka punësuar familjarë në bashki, ndërsa vëllai i tij dhe vjehrri kanë kompani që kanë marrë tendera prej 19 milionë Eurosh nga Bashkia e Tiranës. Veliaj tha se për këtë çështje është bërë kallëzim për shpifje.

Blendi Fevziu: PD ka denoncuar këtë aferë midis jush që është çështje nepotizmi dhe korrupsioni. E tha Këlliçi këtu, por dje e ka bërë dhe publike. Një prej drejtorëve të tuaj të quajtur Mariglen Qato që është drejtor i UKT në dy vite dhe më pas drejtor i IMT-së, ka kunatën, kunatin dhe vëllain të tre që punojnë në bashki. Ndërkohë që vjehrri i tij dhe vëllai i tij kanë kompani që kanë marrë nga Bashkia e Tiranës dhe UKT tendera prej 19 mln Euro ose 25 në total, por OSHEE dhe ARRSH nuk po ua fus ju. Pra një drejtor i bashkisë që ka gjithë farefisin në bashki, po e quajmë çështje nepotike dhe që përfiton 19 milionë euro nga tenderat e bashkisë.

Erion Veliaj: Jam informuar për rastin dhe ka vajtur një akuzë në prokurori për shpifje. Për këto raste. Po të them edhe njëherë, edhe gjysma e Klanit të punojnë burrat dhe gratë në bashki por unë nuk u mbaj dot pishtarin njerëzve. Nëse një njeri ka filluar që në kohën e Lul Bashës, një tjetër në kohën e Edi Ramës dhe një tjetër me një kontratë të BE-së, unë nuk mbaj këtu pishtarin. Ajo që u kërkoj të gjithëve është të bëjnë atë që bëj unë. Unë i çoj të gjithë në prokurori. Unë kam çuar Saliun për iranianët në prokurori, kam çuar Monikën për shpifje, Gridën, Joridën, Albana Vokshin dhe i kam fituar të gjitha. Dhe për sa kohë të gjitha procedurat kush punon ku, kush është ndarë me kë, kush është vjehrri i kujt, unë pishtar nuk i mbaj njeriu, por për sa kohë njerëzit e bashkisë i çojnë të gjitha shpifjet në prokurori do të pres gjykatën…

Mua nuk më rezulton kështu dhe më rezulton një gënjeshtër shumë e madhe. Dhe pikërisht që nuk është kështu më vjen mirë që ka filluar procedura ligjore dhe unë them do presim. Kjo është e gjitha një shpifje. Kohët kur gjykata bëhej nëpër studio, koha kur verdikti jepej nëpër studio, koha kur prokuroria dhe SPAK punonte nëpër studio ka mbaruar. Për sa kohë unë shkoj në prokurori për të gjitha akuzat, do të thotë që inkurajoj të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë. Për sa kohë zotëria e ka çuar në prokurori ftesa për kundërshtarët është pse nuk shkoni në prokurori nëse kjo është e vërtetë? Shkoni e provoni?  /tvklan.al