Ndryshe nga Gjykata e Elbasanit ajo e Krimeve të Rënda vendosi ta zhvillojë me dyer të mbyllura seancën për caktimin e masës së sigurisë për tre ish-zyrtarët e ARRSH-së të akuzuar për abuzime me rrugën Tiranë-Elbasan.

Ish–drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Dashamir Xhika, ishte i pari që mbërriti të Krimet e Rënda dhe u pa vetëm në hyrjen e nëndheshme të Gjykatës.

Ai nuk pranoi të japë sqarime dhe tha se do ta bënte këtë me15 shkurt. Dy ish-vartësit e tij Aksel Qurduka dhe Albens Alite do të pyeten brenda kësaj jave.

Avokatët mbrojtës mësohet të kenë thënë në sallën e gjyqit se klientët e tyre janë arrestuar pa u kryer me parë një hetim.

Por prokurorja Elisabeta Ymeraj ka argumentuar se për ish-zyrtarët ka mbi një vit që zhvillohen hetime.

Pasi dëgjoi palët, gjykata vendosi të rikonfirmojë masën e sigurisë arrest me burg të marrë në mungesë të dielën e kaluar. Prokuroria i akuzon ata për shpërdorim detyre dhe korrupsion në punimet e autostradës Tiranë-Elbasan.

Në dosjen e Prokurorisë për Krimet e Rënda janë edhe emrat e disa ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Transporteve, që dyshohet se kanë bashkëpunuar me të arrestuarit duke ngritur një skemë korruptive me një dëm prej 54 milionë dollarësh për buxhetin e shtetit.

Ish–ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, i përfolur si pjesë e hetimeve, tha se ishte i gatshëm për t’u vënë në dispozicion të tyre, por shprehu shqetësimin se procesi mund të ishte politik.

Tv Klan