Anwar Al-Awlaki

Al Shabaab, dega e Al Kaedës në Somali, ka shpërndarë një video në qendër të të cilës është Donald Trump, kandidati republikan për garën presidenciale. Duke iu referuar fjalisë së tij, pas sulmeve të 13 Nëntorit në Paris, se duhet të ndalohet hyrja e myslimanëve në vend, al Shabaab tregon se si po shtohet ndjenja anti-myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

Grupi terrorist u bëri thirrje afro – amerikanëve të ndryshojnë besim dhe t’i përgjigjen luftës së shenjtë. Stafi i fushatës së Donald Trump nuk ka bërë asnjë deklaratë pas publikimit të videos.

Deklarata e kandidatit republikan shfaqet mes dy materialeve filmike që tregojnë terroristin Anuar al Aulaku, i cili u vra në një sulm me dron në Jemen në vitin 2011. Video u shpërnda në Twitter nga “Al Kataib”, media e grupit terrorist.

Al Shabaab, që ka si qëllim të rrëzojë qeverinë e e mbështetur nga Perëndimi në Somali dhe të imponojë versionin me të rreptë të Sheriatit, ka kryer disa sulme në Kenia dhe Etiopi.

Tv Klan