Evropa është në alarm për shkak të një fluksi të ri refugjatësh nga Lindja e Mesme dhe Afrika që mund të shfrytëzojnë muajt e parë të vitit 2019, për t’u zhvendosur si të tjerët në vitin 2015 nga lufta dhe varfëria. Për të forcuar kufijtë e saj detarë dhe tokësorë kundër flukseve të emigrantëve, BE planifikon krijimin deri në vitin 2020 të një force policore në kufijtë e jashtëm, e përbërë nga 10 mijë roje kufitare. Ministrat e Brendshëm të mbledhur në Bruksel nuk kanë rënë dakord me këtë plan të Komisionerit Avramopulos, i cili paralajmëroi rrezikun e një krize me miliona refugjatë si në vitin 2015.

Disa shtete anëtare të BE si Italia, Greqia dhe Spanja kanë shprehur frikën se krijimi i kësaj force kufitare plani do të dëmtonte të drejtën e tyre sovrane për të kontrolluar kufijtë kombëtarë, ndërkohë janë shprehur shqetësime rreth financimit të kësaj force policore të re.

Ministri i Brendshëm austriak, Herbert Kickl foli për një ngritje graduale të kësaj force duke përdorur paratë e buxhetit të ardhshëm 7-vjeçar të BE. Aktualisht Frontex ka një përbërje prej 1300 personash, për të ndihmuar shtetet anëtare që patrullojnë kufijtë e tyre.

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Sjarto, nga samiti i OSBE-së kërkoi që të frenohen iniciativat e OKB-së që nxisin një fluks të ri, të pakontrolluar refugjatësh, që kanë fe, kulturë dhe rregulla të tjera.

Klan Plus