Alketa Selimaj, 30-vjeçarja nga Vlora, garon për deputete në parlamentin federal të Belgjikës. Ajo është kandidate e Qendrës Demokrate Humaniste, një parti e qendrës së djathtë, pjesë e grupimit të Partive Popullore Europiane. Përmes një videomesazhi, ajo kërkon mbështetjen e bashkëatdhetarëve të saj.

Selimaj premton se do të lobojë në parlamentin e Belgjikës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, po ashtu edhe për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën.

Vitin e kaluar ajo u zgjodh këshilltare komunale në një nga njësitë administrative të Brukselit. Angazhimi i saj politik ka nisur që në vitin 2013, ndërsa ka themeluar edhe të parën shoqatë për femrat shqiptare në Bruksel. Me profesion juriste, Selimaj ka qenë edhe këshilltare në Ministrinë e Brendshme belge.

Të dielën, krahas zgjedhjeve parlamentare, belgët votojnë edhe për Parlamentin Europian si dhe ato rajonale.

Tv Klan