Anëtari i Gjykatës së Lartë në Vetting, KPK: Ka fshehje pasurie

Anëtari i Gjykatës së Lartë në Vetting, KPK: Ka fshehje pasurie

11:46 30/07/2018

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Medi Bici, ishte në seancë dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vlerësimin e pasurisë, figurës dhe profesionalizmit. Në raportin e ILDKPI-së vlerësohet se Bici nuk ka burime të ligjshme të ardhurash, ka fshehje pasurie dhe ka bërë deklarim të rremë.

Bici rezulton të ketë një vilë 4-katëshe banimi ne një truall 450 m2, e ndërtuar në vitet 93-96,  e legalizuar në vitin 2011, me vlerë të deklaruar ndërtimi 6 milionë lekë.

Sipas KPK, gjyqtari i lartë, Medi Bici, ka mospërputhje mes deklarimit të Vettingut në 2017 me deklaratat e vitit 2003 dhe 2011, në lidhje me katet, sipërfaqen dhe vlerën e banimit. Bici ka deklaruar edhe një pronë tokë bujqësore 2 mijë m2 në Manëz të Durrësit, një autoveturë “Crysler” të blerë në vitin 2003 në vlerën 10 mijë euro.

Sipas KPK-së, gjyqtari i lartë ka deklaruar se vëllai i tij në Itali, i ka paguar 10 mijë euro për shkollimin e fëmijëve. Bici ka edhe një llogari rrjedhëse prej 1.8 milionë lekësh në bankë.

Për figurën, DSIK ka konstatuar se gjyqtari i lartë Bici është i përshtatshëm për vijimin e detyrës, e nuk ka pasur dyshime për përfshirje në afera korruptive, apo kontakte me persona të inkriminuar. Për anën profesionale, KPK vlerëson se Bici ka aftësitë e nevojshme, ndërsa për të janë bërë 15 denoncime nga qytetarët.

Në shpjegimet e tij, Bici tha se ka 41 vite punë, nga të cilat 21 në minierën e Valiasit. Ka nisur punë si gjyqtar në vitin 1997 e ka dhënë 3 dënime me vdekje e dhjetëra me burg përjetë. Nuk ka pasur kontakte me persona të inkriminuar, ndërsa ka udhëtuar vetëm në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi. Bici thotë se mandati I tij në Gjykatën e Lartë përfundon pas 11 muajsh, e kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Medi Bici është anëtari i fundit i Gjykatës së Lartë që del para KPK. Vlerësimi për të zhvillohet me prioritet për shkak se është kandidat për KLGJ. Vendimi për të do jepet në 31 Korrik.

/abcnews.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi