Pas suksesit 0-10 kundër San Marinos në dhomat e zhveshjes së “Tre Luanëve” nuk u kursyen ushqimet

Anglia mori fitoren më të thellë në 57 vitet e fundit kundër San Marinos, duke i mbyllur kualifikueset e botërorit Katar 2022 me goleadë.

Hera e fundit që “Tre Luanët” festuan me këtë rezultat ishte në vitin 1964 kundër SHBA-së.

Suksesi i gëzoi djemtë e Southgate, të cilët festuan në mënyrë origjinale në dhomat e zhveshjes.

Në një video në profilin në Instagram të Federatës Angleze të Futbollit, ndërsa shfaqet tekniku i kombëtares duke vlerësuar ekipin, në tavolinë duket një “mal” me pica, që ishin porositur nga futbollistët.

Një sasi e tillë befasoi edhe tifozët anglezë, të cilët nuk i kursyen komentet për këtë detaj.

Harry Kane u dallua në këtë përballje ku shënoi poker golash.

Gjithashtu ai realizoi tripletë për të dytën herë radhazi në një takim me përfaqësuesen.

Por festimi me pica nuk ka për t’i pëlqyer trajnerit të Totenhemit, Antonio Konte, i cili i ka vendosur futbollistët në dietë, për shkak të formës jo të mirë fizike.

Por performanca e Kane vështirë që të mos ndikojë tek italiani, i cili në këtë rast duket se do ta mbyllë një sy.

Klan News