“Kënga Magjike” zhvillon këtë të enjte natën e dytë gjysmëfinale. Padyshim zbulim i këtij festivali është edhe këngëtarja Marsela Çibukaj, që si rrallë herë e kemi parë përkrah Ardit Gjebresë në prezantim.

Ndoshta nuk është çudi që ta shohim edhe më vonë këngëtaren në prezantim. Është vetë Gjebrea që i thotë se pas finales së madhe të Këngës Magjike nuk i dihet, një rrugë e re dhe më e bukur mund të fillojë e hapet për këngëtaren.

Marsela Çibukaj: Pse gjërat e bukura zgjasin kaq pak në jetë?

Ardit Gjebrea: Mos e mendo këtë. Kemi natën e dytë përpara, pastaj vjen nata finale dhe ku i dihet më pas, një rrugë e re dhe e bukur fillon për ty dhe hapet për ty.

Marsela Çibukaj: Le të shpresojmë.

Gjatë udhëtimit drejt ambienteve të Tv Klan, Gjebrea i dha përgjigje edhe pyetjes se pse kësaj here festivali po zhvillohet në verë dhe jo në prag të festave të fundvitit. Gjebrea tha se kjo ide është hedhur edhe më përpara, megjithatë edhe pse me situatën pandemike, artistët zgjodhën të vijnë sërish.

“Kishte kohë që e përplasnim këtë ide për të ndryshuar stinën e Këngës Magjike. Ndoshta edhe pandemia, koha e gjatë bëri që përsëri artistët të na vijnë sërish, me balada në një pjesë të mirë të tyre.

Është një rizgjim, është një rifillim, një rinisje. Jemi tashmë duke marrë timonin e jetës në dorë drejt familjes, drejt të afërmve, drejt miqve dhe pikërisht është kjo “Këngë” që na duhet”, tha Gjebrea./tvklan.al