Dirigjenten e mirënjohur, Suzana Turku jemi mësuar gjithmonë ta shohim serioze dhe autoritare me lëvizjet harmonike të duarve teksa drejton kore të ndryshme. Por këtë herë studentët e Universitetit të Arteve na kanë sjellë një zyshë tjetër, atë që nuk duket në skenat e mëdha të koncerteve.

Suzana Turku ishte përzgjedhur nga studentët e saj për të qenë pjesëmarrëse tek “Ka një mesazh për ty” në TV Klan, pasi i kishin përgatitur një surprizë të këndshme. Siç treguan studentët, ata zhvillojnë dy lëndë me profesoreshën, e cila modestisht preferon të thirret thjesht zyshë Zana, pavarësisht se është “Artiste e Merituar”.

Disa prej 20 studentëve të pranishëm në studio kanë treguar përvojat e tyre të njohjes me zonjën Suzana, duke zbuluar dhe një pjesë të karakterit të saj. Sipas tyre, ajo nuk është thjesht ajo zysha autoritare dhe strikte që duket në fillim, por di të jetë dhe zemërmirë, tolerante dhe me shumë humor.

Xhon Jesku, njëri nga studentët ka treguar sesi në fillim është mërzitur nga rreptësia e profesoreshës, por asnjëherë nuk e ka urryer. Në studio kanë shkaktuar të qeshura pafund batutat e zyshë Zanës, të imituara nga studentët. Përtej “moralit” që mund t’iu bëjë shpesh herë që të jenë rigorozë në studime, ata ndihen të lumtur se çdo fjalë e saj ka zënë vend tek ata.

Njëri prej studentëve rrëfeu se nuk e frekuentonte fakultetin rregullisht deri në momentin që është bërë pjesë e klasës së Suzana Turkut. Duke ardhur nga gjimnazet e paksa të përkëdhelur, kjo iu ka vlejtur që të mësojnë të punojnë me disiplinë dhe në grup.

“Kam patur një vit të parë shumë dramatik me shkollën, nuk shkoja dhe klasa korale më dukej si gogol sepse është e vetmja orë ku bëjmë mësim mbi 150 veta. Ishte shumë e vështirë. Aty e kuptova se përse profesoreshë Zana sillej në atë mënyrë sepse ishte e vështirë të mbaje në kontroll një numër të tillë. Por sot ne jemi si miq sepse profesoreshë Zana na ka trajtuar si fëmijët e saj”

, u shpreh ai.

Ata treguan sesi zysha shpesh herë punon jashtë orarit, thjesht duke u nisur nga dëshira e saj për të nxjerrë breza profesionistësh të muzikës. Përtej kritikave ajo përdor një ironi të këndshme, që studentët të mos ndihen keq, por përkundrazi të qeshin e në fund të reflektojnë për të ardhmen e tyre. Për të gjithë këta studentë është një fat që punojnë me një mjeshtre të tillë të muzikës, një nga dirigjentet dhe njohëset më të mira të vokalit, që i ndihmon aq shumë në profesionin e tyre.

Suzana Turku e ka pritur me shumë emocion surprizën e studentëve, aq më tepër kur i ka parë ata duke kënduar një ndër pjesët korale më të preferuara të saj. Dashurinë për profesionin e shprehu:

“Unë nuk kuptohem dot pa kor”.

Studentët nuk kanë harruar t’i kërkojnë ndjesë profesoreshës së tyre për ato herë kur nuk kanë qenë korrektë apo në lartësinë e duhur artistike. Nga ana e saj ajo e ka pranuar se ndonjëherë është e rreptë, por nuk ka hezituar të shprehë mirënjohjen për studentët, të cilët ajo i cilësoi si artistë dhe njerëz të mirë.

“Unë kam përshtypjen që studentët sot përfaqësojnë qindra dhe qindra artistë që kanë kaluar nga arti juaj. Kam qenë dëshmitar i sa e sa koreve që ju keni drejtuar, i sa e sa emocioneve që ju keni thënë kështu që më konsidero dhe mua një pjesë të këtyre studentëve për të të dhënë një mesazh mirënjohje dhe falenderimi për artin tënd të madh që ke bërë”,

iu drejtua Ardit Gjebrea zyshë Zanës.

Me një modesti fisnike ajo u përgjigj

: “Artin nuk e kam bërë vetëm. Artin e kam bërë me juve dhe nga ju e kam suksesin”.

Nuk munguan batutat dhe të qeshurat mes saj dhe studentëve. Dirigjentja e mirënjohur na dhuroi një surprizë të këndshme, duke dirigjuar me mjeshtëri korin e të rinjve.

/tvklan.al