Policia ka vënë në pranga dy autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së martës në fshatin Cërrnicë të Tropojës, ku mbeti i vrarë 26 – vjeçari, Ardit Mrishaj dhe u plagos një tjetër.

Në pranga kanë rënë dy vëllezërit Fitim Niklekaj, 24 – vjeç dhe Henerik Niklekaj, 22 – vjeç, të dy banues në fshatin Cërrnicë dhe të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.

Dy të rinjtë u arrestuan në fshatin Kokdode të Pukës.

26 – vjeçari Ardit Mrishaj u vra me armë zjarri në lokalin e fshatit, ndërsa po shihte ndeshjen e futbollit së bashku me shokun e tij, që mbeti i plagosur nga plumbat.

Gjatë ditës, policia shoqëroi për veprime të mëtejshme hetimore vëllai tjetër të autorëve të dyshuar, Kastriot Niklekaj.

Burime nga grupi hetimor thanë se ngjarja ndodhi për shkak të një konflikti të mëparshëm. Dëshmitarët që ndodheshin brenda në lokal i thanë policisë që Niklekajt nuk folën asnjë fjalë para se të kryenin krimin.

Sapo ishin futur në derën lokalit, njëri prej tyre ka nxjerrë armën, që kishte me vete dhe ka qëlluar disa herë mbi Mrishajn.

Policia ka shoqëruar dhe disa persona të tjerë, të cilët janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethanat e hetimit.

Tv Klan