Fier | Shërbimet e Policisë së Rendit dhe Forca e Posaçme “Shqiponjat”, me marrjen e njoftimit për zjarrin e rënë në tokat bujqësore dhe në disa sipërfaqe me ullinj të banorëve të fshatit Rreth-Libofshë, menjëherë kanë shkuar në ndihmë të banorëve të zonës duke punuar me mjete rrethanore për të bërë të mundur neutralizmin e flakëve që si pasojë e erës së fortë u përhapën me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe, pasi në shumë drejtime zjarrfikësja nuk futej dot për shkak të terrenit të vështirë.

Ndërkohë në vendngjarje shkoi grupi hetimor dhe falë veprimeve të shpejta të kryera nga strukturat hetimore të DVP Fier u bë e mundur identifikimi dhe shoqërimi në ambientet e policisë i autorit të dyshuar.

Nga veprimet hetimore rezultoi se Bani Mishtaku, në fshatin Rreth-Libofshë, dyshohet se duke djegur me zjarr disa ferra dhe barëra të thatë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë janë djegur qindra rrënjë ullinj të disa banorëve, një sipërfaqe shumë e madhe me shkurre e pemë frutore si dhe janë rrezikuar banesat e këtij fshati.

Në vijim të veprimeve hetimore, nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë Bani Mishtaku, banues në Fier, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për veprime të mëtejshme./tvklan.al