Publikohen pamjet e atentatit në Durrës

Publikohen pamjet e atentatit në Durrës

15:45 26/06/2019

Është ora 13:20 minuta e së enjtes së 20 Qershorit. Dy persona të maskuar dhe me kallashnikov në dorë i kanë zënë pritë pranë mbikalimit të Shkozetit, në Durrës, një fuoristrade në të cilën udhëtojnë Julian Meçe, Plarent Dervishi dhe Bashkim Haxhiaj.

Fuoristrada tip Range Rover ishte qëlluar më parë nga pas nga një makinë në lëvizje. Si pasojë e sulmit, përplaset me murin e një ndërtese, pikërisht aty ku e presin dy atentatorë të tjerë, të maskuar.

Qëllojnë me breshëri në drejtim të xhamit të parë dhe në pak sekonda largohen me një BMW ngjyrë të zezë. Nga pjesa e pasme e fuoristradës del Bashkim Haxhiaj, i cili mban në dorë një pistoletë dhe nis të ndjekë atentatorët.

Në këtë ngjarje, 36-vjeçari Meçe, që ishte në drejtim të makinës, mori dy plumba, një në bark dhe një në shpatull. Ndërsa 47 – vjeçari Dervishi, pasagjer në vendin e parë, u godit nga një plumb në këmbë.

Policia nuk ka mundur t’i identifikojë atentatorët. Por ajo ka arrestuar 50 – vjeçarin Bashkim Haxhiaj për armëmbajtje pa leje. Ai ka qenë më parë i dënuar me 20 vjet burg. Edhe dy të plagosurit njihen nga policia si persona me precedentë penalë.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT