Një ish-inspektor i Agjencisë së Trajtimit të Pronave është vënë në pranga si pasojë e një hetimi të ndjekur nga SPAK në bashkëpunim me Policinë e Tiranës dhe Durrësit. Mësohet se në pranga është vënë Ilir Kapedani, 54 vjeç. Ai akuzohet për korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

SPAK ka njoftuar se dyshohet se Kapedani ka marrë ryshfet në të paktën 14 raste të ndryshme nga trashëgimtarë të ish-pronarëve. Këto shuma parash ai i ka marrë në shkëmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.

Ndërkohë për 9 të tjerë është nisur procedimi penal. Dy prej tyre janë lënë me masë sigurie arrest shtëpie, një me masën e ndalimit të daljes jashtë vendimit dhe gjashtë me detyrimin paraqitje. Këta nëntë persona dyshohet se e kanë ofruar ryshfetin për të përfituar kompensim financiar nga ATP-ja.

““Arrest në shtëpi”, për shtetasin D. L., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

“Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasen V. B., 55 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

“Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasit: Xh. V., J. Z., A. H. dhe D. D., banues në Durrës, të katërt banues në Durrës; G. T. dhe L. A., të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike””, thuhet në njoftimin e policisë

Ndërkohë një tjetër person, me masë arrest shtëpie është shpallur në kërkim. Hetimi për këtë rast ka nisur në vitin 2021.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryera në bashkëpunim./tvklan.al