Marklen Haka, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”, është arrestuar nga policia në zonën e Niklës të Krujës.

Marklen Haka akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrës në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë kësaj kohe, dyshohej se Marklen Haka fshihej në Dubai. E paqartë mbetet se si ai mund të ketë kaluar kufirin.

33-vjeçari Marklen Haka u ka shpëtuar 2 atentateve. Në vitin 2022 ai u qëllua me një plumb në nofull. Në 2019, i shpëtoi një atentati në derën e shtëpisë, por si pasojë e të shtënave humbi jetën halla e tij.

Po në vitin 2022 ai ishte ndaluar nga policia sepse u kap me pistoletë, por arresti zgjati shumë pak dhe u lirua nga gjykata. I skeduar si pjesë e grupeve kriminale në Nikël, ai në 2011-n ka qenë i arrestuar si i dyshuar edhe për një vrasje në ish-Bllok, por fitoi lirinë për mungesë të provave.

E këtu dolën në pah aleancat e krimit, interesat e tyre dhe bashkimi i forcave për ekzekutimin e kundërshtarëve.

Një prej këtyre aleancave ishte edhe ajo me Ervis Martinajt dhe ish-deputetit Arben Ndoka për të kryer vrasjen e Durim Bamit, një eksponent i njohur në botën e krimit.

Ndoka donte ta vriste Bamin në shenjë hakmarrjeje pasi dyshonte se ishte një nga ekzekutorët e vëllait të tij në vitin 2017.


Reagimi i ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha:

Ministri Hoxha:Në prangat e Policisë së Shtetit ka rënë pak minuta më parë i shumëkërkuari Marklen Haka alias Aliu, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda, pas një operacioni profesional të Forcave Speciale RENEA, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës.

Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri, e bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë.

Përpjekja për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë po merr e do të marrë çdo ditë e më shumë përgjigjen e duhur nga uniformat blu dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Ky është momenti për të përgëzuar dhe shprehur respekt, për forcat e angazhuara në operacionin me shkallë të lartë rrezikshmërie”.

/tvklan.al