Ky është momenti kur Marklen Haka dërgohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Këto janë pamjet e siguruara nga Klan News ku Haka, i zbathur, futet i prangosur brenda ambienteve të policisë.

33-vjeçari u kap këtë premte në Nikël. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrës në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Siç bëri me dije më herët ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, Marklen Haka u kap pas një operacioni të forcave speciale RENEA (Lexo më shumë).

Ai ishte i armatosur në momentin e arrestimit, ndërkohë që janë shoqëruar edhe persona të tjerë. Siç mëson gazetari Besar Bajraktaraj bëhet fjalë edhe për 4 të shoqëruar.

Marklen Haka dyshohej se fshihej në Dubai. E paqartë mbetet se si mund të ketë kaluar kufirin.

(Djathtas) Momenti kur Haka dërgohet në spital pasi u plagos në 2019. Personi tjetër që e shoqëron është Valter Bami, vëllai i Durim Bamit

33-vjeçari i ka shpëtuar dy atentateve. Në vitin 2022 ai u qëllua me një plumb në nofull. Në 2019, i shpëtoi një atentati në derën e shtëpisë, por si pasojë e të shtënave humbi jetën halla e tij.

Po në vitin 2022 ai ishte ndaluar nga policia sepse u kap me pistoletë, por arresti zgjati shumë pak dhe u lirua nga gjykata. I skeduar si pjesë e grupeve kriminale në Nikël, ai në 2011-n ka qenë i arrestuar si i dyshuar edhe për një vrasje në ish-Bllok, por fitoi lirinë për mungesë të provave (Lexo më shumë)./tvklan.al