Dy bashkëpunëtorë të tij hynë në Shqipëri për të kryer një atentat

Një i ri nga Taxhakistani i shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një celule terroriste, është arrestuar në Shqipëri.

Ai është 24–vjeçari Komrom Zukhurov, i kërkuar nga drejtësia gjermane.

Komrom Zukurov u arrestua teksa lëvizte në bulevardin “Zogu i Parë”, ndërsa në Shqipëri kishte hyrë përmes aeroportit të Rinasit dhe prej dy muajsh qëndronte në një familje taxhikistaneze që jetonte në zonën ku ai u arrestua.

Ai kishte hyrë në Shqipëri më 17 Shkurt të këtij viti përmes aeroportit të Rinasit me dokumente të rregullta.

Familja që e kishte strehuar po verifikohet nëse ka qenë në dijeni që ai ishte i shpallur në kërkim apo nëse ka lidhje me aktivitetin e tij.

5 anëtarë të celulës ku bënte pjesë 24-vjeçari u arrestuan nga policia gjermane në 15 Prill në Berlin. Ata akuzohen se kishin planifikuar të kryenin sulme ndaj kritikëve të Islamit dhe ndaj bazave të forcave amerikane në Gjermani.

Mediat gjermane, që u referohen burimeve zyrtare, shkruajnë se dy nga anëtarët e kësaj celule kanë udhëtuar më herët në Shqipëri për të kryer një atentat në këmbim të 40 mijë Dollarëve, por plani dështoi dhe u kthyen sërish në Gjermani.

Tashmë dosja në ngarkim të Komrom Zukhurovit është referuar në Prokurorinë e Tiranës që pritet t’i kërkojë Gjykatës ekstradimin e tij drejt Gjermanisë.

Ndërsa po hetohet për të zbuluar se kush ishte shenjestra e atentati të dështuar të dy bashkëkombasve të tij dhe kush ishin porositësit.

Tv Klan