Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Tiranës arrestoi për gjobëvënie një gazetar dhe një punonjëse të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa një drejtues i Agjencisë në Drejtorinë e Përgjithshme u shpall në kërkim.

Ervis Hasanaga, 35 vjeç, me profesion gazetar, Rexhina Omeri, 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Durrës dhe i shpalluri në kërkim Kushtrim Selimi 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore kishin krijuar një portal ku sipas policisë publikonin informacione të rreme.

Policia njoftoi zyrtarisht se gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti. 

Portali në të cilin publikoheshin këto informacione ishte i paregjistruar në ndonjë organ shtetëror apo në qendrën kombëtare të biznesit dhe nuk figuronte në pronësi të ndonjë individi.

Ai rezultonte pa adresë zyrtare dhe pa përfaqësues. Por policia ka mundur që përmes hetimeve të provojë se ai ishte ngritur nga personat e mësipërm. Qëllimi, sipas policisë, ishte denigrimi, por janë materiale për gjobëvënie.

Vetë gazetari, sipas burimeve të policisë, ka pranuar se paguhej për të publikuar këto shkrime që i vinin të gatshme dhe se ai nuk i kishte verifikuar për vërtetësinë.

Gazetari Hasanaga dhe punonjësja e AMP, Omeri, akuzohen për “Falsifikim kompjuterik”, lidhur me dokumentet që kanë nxjerrë, që sipas policisë kanë qenë të pavërteta.

Ndërsa shefi i sektorit në AMP akuzohet për “nxjerrje të sekretit”, lidhur me informacionet që ka dhënë këtyre për të bërë lajmet.

Tv Klan