Policia bën bilancin e 24 orëve të fundit

Gjatë 24 orëve të fundit u është hequr patenta 10 shoferëve, të cilëve u është bllokuar edhe mjeti. Policia bën me dije se këta drejtues kanë shkelur urdhrin e ndalimit të qarkullimit.

Ndërsa në Elbasan janë arrestuar dy shoferë. Konkretisht, 62-vjeçari me iniciale M.H., i cili kishte autorizim për lëvizje, por është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 1.04 mg/l,, si dhe 31-vjeçari me iniciale E. B., i cili nuk kishte autorizim për lëvizje dhe është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Këtij të fundit iu pezullua leja e drejtimit për 3 vjet.

Sa u përket këmbësorëve, janë gjobitur me 100 mijë Lekë të vjetra 45 persona në të gjithë vendin të cilët lëviznin pa asnjë arsye.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 2 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve u vendos gjobë.

Në të gjithë vendin, nga shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në banesat e shtetasve të vetëkarantinuar, të cilët janë kthyer nga vendet e prekura.

Policia apelon për qytetarët se nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi. /tvklan.al