Qytetarët të pakujdesshëm edhe me rregullat aktuale

Vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve në 11 Mars për të mbajtur në fuqi të njëjtat masa edhe për 2 javët e ardhshme, konsiderohet i pamjaftueshëm nga qytetarët edhe pse janë vetë ata që as masat aktuale nuk i zbatojnë.

Në qytetin e Shkodrës lëvizja pa një maskë është thuajse një normalitet. Edhe qytetarët që shprehin shqetësim për situatën, jo gjithmonë e kanë një të tillë në rrugë.

“Po, po masat duhet të shtrëngohen”. 
“Situata duket keq, le të shtrëngohen”.

Në rrugët e Elbasanit maska mungon masivisht, ndërsa kafenetë stërmbushen në çdo orë të ditës, kryesisht nga të rinjtë. Shqetësimin me të madh për situatën e kanë të moshuarit, të cilët kërkojnë shtrëngim të masave.

“Për mua është që të shtrëngohen. Rinia rri vetëm nëpër klube”.
“Duhet të shtrëngohen edhe më shumë”.

Prokolli antikovid nuk respektohet as në Durrës. Lëvizje e dendur pa maska dhe lokale të mbushura plot. E njëjta panorama shfaqet rrugëve dhe lokaleve të kryeqytetit.

Ndërgjegjja konsiderohet nga Komiteti si aleati më i fortë i qytetarëve, ndërsa për këta të fundit ashpërsimi i masave janë mënyra e vetme drejt normalitetit.

Tv Klan