Stuhi të fuqishme godasin lindjen e vendit

Pas zjarreve që shkrumbuan dhjetëra mijëra hektarë pyje, lindja e Australisë sërish nuk gjen qetësi. Këto pamje tregojnë se sa e fuqishme ishte stuhia e breshërit që goditi Kanberrën.

Dy persona u dërguan në spital nga plagët e shkaktuara nga kokrrat e breshërit që arrinin madhësinë e një veze.

Dëme pësuan qindra automjete që qarkullonin ose ishin të parkuara nëpër kryeqytetin australian në momentet e goditjes nga stuhia.

Breshëri theu xhamat e shkaktoi dëmtime të tjera edhe në ndërtesa, përfshirë edhe atë të Parlamentit.

Edhe Sidney u godit nga stuhia që rrëzoi pemë e shtylla elektrike, duke lënë pa energji mbi 20 mijë klientë. I gjithë rajoni i Queensland ka pësuar dëme të konsiderueshme nga ky fenomen natyror që megjithatë i ka shuar njëherë e mirë zjarret disa mujore që shkrumbuan pemë e dogjën të gjalla qindra mijëra kafshë të rralla të atyre zonave për disa muaj.

Tv Klan