“KED dhe institucionet e tjera të mos tallen me ngritjen e “Kushtetueses””

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi këtë të enjte se deputetët e Parlamentit Europian mendojnë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të nisin zyrtarisht në Dhjetor negociatat. Balla u bëri thirrje deputetëve opozitarë që të mos bëjnë sherre në lidhje me rezolutat e Shqipërisë.

“Teksa një deputet kishte bllokuar foltoren sepse shkelte rregulloren e Kuvendit po ndiqja një konferencë online me kolegë të PE-së. Shqipërinë mu duk se e duan më shumë ata se sa e do një pjesë e politikës shqiptare. Kishte të majtë, kishte të qendrës kishte të djathtë në një kanal virtual tjetër, por që të gjithë mendojnë që Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut, komiteti ndërministror që është starti zyrtar i negociatave duhet ta zhvillojmë dhe ta marrim datën në Dhjetor, pa asnjë dallim. Brenda PE-së ka edhe persona ose përfaqësues të grupimeve të caktuara që nuk janë dakord me këtë. Ata nuk kanë gjë me ne, e kanë me veten e tyre. Teksa atje kishte këtë frymë diskutimi kryetarja jonë e komisionit të integrimit nuk foli fare për këtë. Ja them që si koleg që ishte fjalimi më i dobët. Kemi mundësi të bëjmë sherre sa herë të doni, por jo me rezoluta që lidhen me qëndrimin zyrtar të Shqipërisë sa i përket integrimit”, tha Balla.

Sa i përket propozimit të Rudina Hajdarit për amendimet në Kodin Zgjedhor, Balla tha se ishin të pakuptueshme. Për draftin e propozuar nga vetë socialistët u shpreh se është marrë nga modelet më të mira të Europës. Balla i bëri thirrje opozitës jashtë parlamentit që të sjellin propozimet e tyre deri të hënën, ndërkohë që komisioni i posaçëm do të vazhdojë diskutimet.

“Ne kemi marrë modelet më të mira të Europës. Ja ku e keni Fate Velajn aty dhe pyeteni për Austrinë. Austria është vend diktaktorial që është vend që duam të aplikojmë sistemin e tyre. Kemi dallim nga Kroacia, pragu atje është 5%. Ne kemi propozuar 3%. Keni propozim ju, por edhe për ata jashtë. Ata jashtë duhet të dinë që ligjet votohen këtu. T’i sjellin propozimet deri ditën e hënë në mëngjes sepse grupi i punës ka bërë mbledhjen sot”, tha Balla.

Balla u ndal edhe te formimi i Gjykatës Kushtetuese ku deklaroi që të gjitha institucionet e tjera të përfshira duhet që të mos tallen me procesin e mbylljes së vakancave.

“Kuvendi ecën shumë shpejt në plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. I bëj thirrje çdo juristi që plotëson kriteret të aplikojë deri në datë 10 Tetor, por KED dhe këshillat e tjerë nuk duhet të tallen më këtë proces dhe duhet ta mbyllim brenda 60 ditëve”, tha Balla. /tvklan.al