Do të lidhë bypass-in e Vlorës me tunelin e Llogarasë

13% e punimeve në rrugën Orikum-Dukat ka përfunduar, ndërkohë që pritet që punimet të avancojnë në muajit e ardhshëm. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë një inspektimi të punimeve atje tha se ky është një segment është rëndësishëm për të lidhur bypass-in e Vlorës dhe tunelin e Llogarasë, si dhe do t’i japë një hov tjetër zhvillimit të turizmit.

“Vlora është kthyer në një kantier ndërtimi pasi është porta hyrëse në bregdetin e jugut shqiptar në rivierën shqiptare, ku vitet e fundit ka mjaft interes jo vetëm nga turistët vendas, jo vetëm nga turistët që vijnë shqiptarët e Kosovës apo shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe nga e gjithë bota. Ne kemi pritur shumë turistë në këtë zonë, por sigurisht me problematikat që ka pasur infrastruktura e trashëguar, e cila duhet zëvendësuar me infrastrukturën e re që ne po ndërtojmë për t’i dhënë mundësi kështu jo vetëm vizitorëve, por edhe investitorëve të cilët e kanë të pazëvendësueshme çështjen e infrastrukturës”, u shpreh Balluku.

Ministrja Balluku kërkoi nga ARRSH dhe kompania e cila po realizon punimet që të marrin të gjitha masat për të mos krijuar pengesa në qarkullimin e automjeteve gjatë sezonit të verës.

“Duhet menaxhuar shumë mirë trafiku. Ne kemi kantiere kudo, është e kuptueshme që ku ka kantiere krijohet edhe trafik megjithatë qytetarët meritojnë që gjatë kësaj vere që shpresojmë për shkak edhe të vaksinimit masiv që po bëhet tani, do jetë një verë më normale se ajo e shkuara, kështu që qytetarët duhet të qarkullojnë të qetë në të gjitha akset dhe të sigurt, pasi ne tregojmë kujdes të veçantë për sigurinë rrugore”, nënvizoi Balluku.

Realizimi i kësaj vepre nëpërmjet koncesionit Partneritetit Publik Privat, sipas ministres është një zgjidhje efikase dhe ligjore.

Kjo vepër infrastrukturore me një gjatësi 14.7 kilometra është parashikuar të dorëzohet brenda 36 muajve, ndërsa në kontratë është parashikuar edhe mirëmbajtja e aksit për 10 vitet e ardhshme pas vendosjes së saj në funksion. Në projektin janë parashikuar ndërtimi i 5 ura, një gjysmë tunel, si dhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat.

Tv Klan