Balluku: Nesër do të fillojnë udhëtimet edhe për linjat komerciale

Aeroporti i Rinasit ka filluar sërish fluturimet, pas një bllokimi prej më shumë se 24 orëve që i solli hapësirës ajrore shqiptare pezullimi i punës së 60 kontrollorëve të trafikut një ditë më parë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha prej orës 12:30 të mesditës kanë nisur fluturimet e domosdoshme: udhëtimet humanitare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake. Me ndihmën e grupeve të punës së koncesionarit të aeroportit, autoritetet po punojnë që të nisin nesër edhe fluturimet komerciale.

“Trafiku ajror ka nisur punën dhe po zgjidhim hap pas hapi në bashkëpunim dhe me grupet e punës të Rinasit për të vënë në dispozicion të gjithë njësitë dhe për të kthyer gjithçka në normalitet. Në planet tona: nesër në mëngjes e gjatë gjithë ditës do të kemi udhëtime për fluturime komerciale”.

Balluku tha se së shpejti mbërrin dhe sasia e vaksinave e cila u tentua të bllokohej nga grupe të caktuara politike.

“Me një përpjekje të madhe gjatë mbrëmjes së djeshme kemi arritur të ruajmë sasinë e vaksinave që duhet të vinte dje në Shqipëri por u bllokua nga greva e paligjshme. Kjo situatë e rëndë dhe e jashtëzakonshme na ka bërë të kuptojmë që ka patur plan të mirëorganizuar për bllokim deri në ditën e zgjedhjeve, por ne po mbledhim të dhëna për të dalë në konkluzionin e duhur.”

Ministrja nuk tha se kush është duke punuar aktualisht së kullën e vrojtimit të trafikut ajror për të bërë të mundur fluturimet e domosdoshme. Në një mbledhje online Komiteti i Mbrojtjes Civile mori vendim për t’i hapur rrugë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që të zëvendësojë kontrollorët e larguar me të rinj vendas ose të huaj, duke përcaktuar kriteret minimale të licencës sipas standardeve ndërkombëtare për të nisur fluturimet sa më parë. Burime zyrtare thanë për televizionin Klan se disa shtete partnere kanë shprehur mbështetje për të sjellë kontrollorë trafiku në Shqipëri.

Patrullimin e forcave të ushtrisë në perimetrin e aeroportit, ministri Niko Peleshi e konsideroi si pjesë e shtuar e vigjilencës në një objekt strategjik.

“Jemi shumë të vetëdijshëm për moslejimin e forcave të armatosura të lëvizin në një periudhë zgjedhore e për më tepër pa një urdhër të veçantë apo pa një vendim parlamenti. Ballkani dhe gjeopolitika nuk është duke kaluar periudha shumë të qeta apo pa kërcënime. Ka kërcënime dhe në rajonin tonë që lidhen kryesisht me një orientim nga anë të tjera përveç perëndimit nga vendet e rajonit.”

Edhe pse u njoftua për rinisjen e fluturimeve ditën e nesërme, pasagjerët në terminalin e aeroportit qëndrojnë ende në pritje. Ende shpresojnë për nisje të fluturimeve, ndërsa kërkojnë dëmshpërblim për dëmin që u ka krijuar vonesa.

Sipas njoftimeve nga Aeroporti i Tiranës, pasagjerët e linjës Tiranë-Dubai do të shkojnë me autobus në Podgoricë për të fluturuar prej andej, ndërsa po nga kjo pistë do të mbërrijnë dhe udhëtarët që do të kthehen nga Dubai. Godina dhe perimetri i Albcontrol vazhdojnë të jenë nën mbikëqyrjen e patrullave të policisë.

Tv Klan