SPAK dhe autoritetet italiane kanë mbajtur sot një konferencë për shtyp ku kanë dhënë detaje për goditjen e grupit kriminal që merrej me trafikim ndërkombëtar të drogës.

Nga 43 masa sigurie të lëshuara nga Prokuroria e Bergamos, 21 prej tyre janë për individë që jetojnë në Shqipëri.

Të arrestuarit janë kryesisht Durrësi dhe Tirana dhe akuzohen për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal. GJKKO ka lëshuar 20 masa arresti me burg dhe një masë arresti shtëpiak. Deri më tani janë zbatuar 15 urdhërndalime në vend.

Emrat:

1.Braniol Liço

2.Gernard Beu

3.Emirjan Beu

4.Dorjan Beu

5.Syrjan Tola

6.Oltion Lala

7.Florid Vukaj

8.Ramazan Grada

9.Ilir Duro

10.Lulzim Selimi

11.Dhimitër Nina

12.Eledjo Dedej

13.Enkeleda Bakalli

14.Gjergji Zefi

15.Renato Zefi

16.Rexhep Dallupi

17.Alfred Luli

18.Gjergji Luli

19.Saimir Prengaj

20.Lorik Prengaj

21.Françesko Çeçi

Banda kriminale u shkatërrua falë bashkëpunimit të Prokurorisë së Bergamos, Eurojust dhe autoriteteve shqiptare. Mësohet se 3 drejtues të kësaj bande kriminale ishin shqiptarë. Kjo bandë kriminale merrej me trafikimin ndërkombëtar të kokainës, heroinës, marijuanës dhe hashashit.

Mësohet se policia italiane ka sekuestruar mbi 120 kilogramë kokainë të importuar holandeze dhe mbi 15 kilogramë heroinë të pastër në dy laboratorë që ishin vendosur në provincat e Kremones dhe Milanos. Po ashtu janë sekuestruar 129 kilogramë marijuanë dhe 98 kilogramë hashash në ferma në provincat Mantua dhe Modena. Në total është sekuestruar pasuri financiare prej 5 milionë eurosh.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ka zhvilluar hetime në lidhje me operacionin “HIGHWAY”.

Hetimet janë kryer në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë e Bergamos, në Itali, e cila është mbështetur nga Eurojust, Europol, si dhe është mbështetur në mënyrë të vazhdueshme nga ana financiare nga Projekti IPA/2019 “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor”.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në Itali dhe në Shqipëri është bërë e mundur që të zbulohet një grup kriminal që ka vepruar në Itali dhe në Shqipëri, që ka patur si qëllim tregtimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur të provohet tregtimi i një sasie prej më shumë se 120 kilogram kokainë, 15 kilogramë heroinë shumë e pastër, si dhe 129 kilogramë marijuanë e 92 kilogramë hashash, të sekuestruara në Itali në disa episode të ndryshme.

Veprimtaria kriminale e këtij grupi është zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim dhe është zhvilluar në Shqipëri kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino etj, vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike.

Nga hetimet e përbashkëta janë mbledhur provat e nevojshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se ky grup kriminal është krijuar dhe është drejtuar nga tre persona shtetas shqiptar (shtetasit B.L, G.B dhe E.M), të cilët kanë koordinuar veprimet midis tyre për drejtimin e grupit kriminal.

Ndërsa, si pjesëmarrës në këtë grup kriminal që kanë bashkëpunuar me drejtuesit e grupit dhe me njëri tjetrin, janë identifikuar 18 persona të tjerë shtetas shqiptar, të cilët në vënde dhe në periudha të ndryshme, kanë kryer aktivitetin e tregtimit të lëndëve narkotike.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.1, datë 23.01.2023 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për 20 persona dhe masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për 1 person, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 283, paragrafi (1), si dhe nenet 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Deri në këtë moment janë ekzekutuar masat e sigurimit për 15 persona dhe vijojnë veprimet për ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë.