Banda shqiptare që fshihej pas konternierëve me kokainë nga Amerika e Jugut



Banda shqiptare që fshihej pas konternierëve me kokainë nga Amerika e Jugut

22:27 17/12/2020

7 shqiptarë të arrestuar në Belgjikë, sekuestrohen 40 kg kokainë dhe 220,000 euro

Autoritetet belge shkatërruan këtë javë një bandë të madhe shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës. 17 persona u arrestuan gjatë bastisjes së 11 shtëpive në disa operacione të zhvilluara të martën dhe të mërkurën në rajonet e Antwerp dhe Bruksel. 9 prej të arrestuarve janë lënë në arrest me burg dhe do të dalin para gjykatës javën e ardhshme. Sipas mediave vendase, 7 prej tyre janë shqiptarë, një gjerman dhe një nga Letonia, të moshës 24 deri në 35 vjeç. “Të arrestuarit dyshohet se kanë pasur një rol të rëndësishëm në organizimin e trafikut të drogës. Mes tyre janë edhe krerët e kësaj bande ndërkombëtare“.

Kokaina nga Amerika e Jugut | Hetimet për këtë bandë nisën nga prokurori publik në Antwerp rreth 1 vit më parë, në fund të 2019-s, pasi kishte marrë informacione nga autoritetet gjermane për një bandë kriminale shqiptare. “Hetimet treguan se kjo organizatë ishte në gjendje të transportonte kokainë nga disa shtete të Amerikës së Jugut”, tha zyra e prokurorit.

Në Europë droga mbërrinte në porte të ndryshme. Për shembull, gjatë hetimeve u sekuestruan disa sasi kokaine në 3 porte europiane. 57 kilogramë u kapën në Antwerp, 50 kilogramë në Vlissingen, Holandë dhe 80 kilogramë në Civitavecchia, në Itali, në veri të Romës. “Vlera e drogës kishte një vlerë mbi 9 milionë euro“, tha prokurori. Banda përdorte përgjithësisht kontenierë me fruta për të transportuar drogën.

Gjatë hetimeve, autoritetet belge ishin në kontakt të vazhdueshëm me forcat policore gjermane, holandeze, italiane dhe shqiptare.

220,000 euro cash | Arsyeja përse e gjithë sasia që banda kishte transportuar drejt porteve nuk ishte kapur nga policia, u bë e qartë gjatë operacioneve në Antwerp dhe Bruksel. Më shumë se 40 kilogramë kokainë u sekuestruan nga policia. Një pjesë e drogës u gjet në një vend të fshehur në një automjet. Hetuesit sekuestruan gjithashtu rreth 220,000 dollarë cash, ashtu sikurse edhe 22,600 dollarë, valutë e huaj. Autoritetet sekuestruan gjithashtu disa automjete dhe armë zjarri.

Emrat e të arrestuarve nuk janë bërë publike./tvklan.al







Të ngjashme