Kuqezinjtë zbresin 3 vende në renditjen e FIFA-s

Pas më shumë se 6 muajsh ndërprerje për shkak të pandemisë, ndeshjet e kombëtareve rinisën. Paraqitja e skuadrave ishte inkurajuese për sfidat në vazhdim. 54 takimet e zhvilluara për ligën e kombeve patën ndikim të menjëhershëm në renditjen botërore të FIFA-s, e cila kishte mbetur e pandryshuar që prej 9 Prillit.

Dy barazimet e fundit në Ligën e Kombeve ndaj kundërshtarëve më të dobët se ne, i kanë kushtuar zbritje kombëtares shqiptare në renditjen e përgjithshme. Kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja zhgënjyen përballë Kazakistanit dhe Lituanisë dhe tashmë e gjejnë veten 3 pozicione më poshtë dhe tashmë gjenden të 69 në kuotën e 1345 pikëve.

Edhe Kosovës i ka kushtuar shumë humbja me Maqedoninë e Veriut në renditjen e përgjithshme të kombëtareve. Dardanët ishin në vendin 116, ndërsa kanë zbritur një vend më poshtë, duke rënë në vendin e 117 në kuotën e 1157 pikëve.

Në ndeshjet e Nëntorit të dy ekipet do të jenë të detyruara për të fituar për të bërë të mundur arritjen e qëllimeve të tyre. Kosova ka bërë një fushatë jo të mirë në Ligën e Kombeve dhe synon të mos bjerë në Ligën D, ndërsa Shqipërisë i duhen me patjetër fitore ndaj Bjellorusisë dhe Kazakistanit për të synuar kryesimin e grupit të saj.

Renditja botërore e FIFA-s kryesohet nga Belgjika. Ndjek Franca, Brazili, Anglia dhe Portugalia. 5 vendet e para nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. Spanja fiton një vend kundrejt Uruguait në të gjashtin, ndërsa Argjentina fiton një vend ndaj Kroacisë në vendin e tetë. Italia në vendin e 12-të.

Tv Klan