Në fjalimin e tij pas humbjes në zgjedhjet e së dielës, Lulzim Basha tha se ndryshe nga sa kishte besuar, fuqia e popullit këtë herë nuk mjaftoi. Kjo sepse sipas tij, këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë.

Kryedemokrati tha se në garë për këto zgjedhje nuk kishte hyrë me një kundërshtar politik, por me një regjim që sipas tij, bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale.  

“Edhe këto muaj, ne luftuam për demokracinë. Unë besova se falë fuqisë së mrekullueshme të popullit tonë ne do fitonim dhe do ti kthenim Shqipërisë demokracinë. Por këtë herë kjo nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Ata ndryshuan kushtetutën dhe kodin zgjdhor duke thyer të gjithë rregullat. Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve.Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat,  kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale”.

Edi Ramën e akuzoi se bashkëpunon hapur me përfaqësues të krimit.

Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij.  Dhe pavarësisht gjithë kësaj – ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë në Shqipëri. Ne u bëmë më të fortë.  Ne jemi më të vendosur se kurrë”. /tvklan.al