Kreu i PD merr pjesë në asamblenë politike të Partive Popullore Europiane

Nga Asambleja Politike e Partive Popullore Europiane që u zhvillua në Bruksel, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se mori mbështetje për hartimin e një platforme që do të synojë rikthimin e demokracisë në vend.

“Ndamë shqetësimin e madh për masakrën zgjedhore, për atë që ODIHR tashmë e ka përcaktuar në raportin paraprak si dy problemet kryesore: blerjen masive të votave dhe shkrirjen në një të shtetit dhe një partisë, si dhe nevojën për të hartuar së bashku një platformë për të kthyer legjitimitetin dhe demokracinë”.

I pyetur nëse është i gatshëm të dialogojë me qeverinë Rama në të ardhmen, Basha u shpreh se opozita do të bëjë gjithçka, brenda dhe jashtë Parlamentit, për ta çliruar vendin nga ata që i quajti “një bandë plaçkitësish”.

“Dialogu politik është mjet nuk është qëllim në vetëvete. Qëllimi ynë është të çlirojmë Shqipërinë dhe shqiptarët nga një bandë plaçkitësish që  e kanë marrë peng demokracinë e vendit. Dhe në funksion të kësaj ne do të bëjmë gjithçka brenda dhe jashtë parlamentit, brenda dhe jashtë vendit në mënyrë që Shqipërisë një orë e më parë t’i kthehen kushtet dhe mundësitë për  një demokraci funksionale”.

Kreu i Partisë Demokratike tha se qeveria është kapur në flagrancë në 25 Prill ndaj dhe procesi i integrimit është bllokuar.

“Procesi i integrimit europian të vendit nuk mund të ecë përpara me një vend ku qeveria në vend që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme është kapur për herë të dytë në flagrancë duke manipuluar në mënyrë masive dhe sistematike  zgjedhjet që nga vjedhja e të dhënave personale të shtetasve tek keqpërdorimi i administratës tek intimidimi dhe shantazhimi i punonjësve publike dhe i zgjedhësve dhe ç‘është më e keqja tek vazhdimi i aleancës me krimin”.

Basha e ka quajtur 25 Prillin një masakër elektorale të cilën nuk do ta njohë kurrë, ndërkohë që Kryeministri Rama pas zgjedhjeve ka shtrirë dorën e bashkëpunimit me Partinë Demokratike.

Tv Klan