Edhe në Korçë e Devoll, Lulzim Basha ripërsëriti kushtin e panegociueshëm se nuk do ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër dhe se nevojitet një ndryshim i thellë i sistemit politik në vend.

 “Çdo tentative për një proces falso të diktuar nga krimi do përballet me rezistencën më totale lagje më lagje, kuti votimi për kuti s’do ketë zgjedhje në 30 Qershor, ndaj zgjidhja politike është e qartë. Do ketë një ndryshim të thellë të sistemit politik, duhet një parlament që të burojë drejtpërdrejt nga populli.”

Kreu i opozitës u ndal edhe tek arrestimi i ish-deputetit demokrat Klevis Balliu duke e cilësuar atë politik.

 “Mbahet në arrest politik me urdhër të drejtpërdrejt të Edi Ramës dhe zagarëve të tij politikë, Sandër Lleshaj, Ardi Veliu dhe kriminelit në krye të policisë së Tiranës”.

Të njëjtin qëndrim selia blu e përforcoi edhe përmes sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, i cili tha se Prokuroria është vënë në shërbim të kryeministrit, duke e cilësuar arrestimin e Balliut dhe 4 qytetarëve të paligjshëm e të pabazuar në prova.

Gjatë pasdites banorët e Astirit protestuan përballë Drejtorisë se Policisë ku kërkuan lirimin e ish-deputetit Balliu. Protestuesit bllokuan rrugën “Sami Frashëri” për më shumë se një orë madje hodhën edhe kapsolla dhe fishekzjarrë në drejtim të uniformave blu.

Tv Klan