Basha nga Zadrima: Rama e di se do të humbasë, prandaj përpiqet të hyjë në qeverinë tonë



Basha nga Zadrima: Rama e di se do të humbasë, prandaj përpiqet të hyjë në qeverinë tonë

17:50 18/04/2021

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u prit nga dhjetra mbështetës demokratë në Blinisht.

Në ndalesën e shkurtër që pati me qytetarët e Zadrimës në Blinishtit, Basha tha se ndryshimi është i pandalshëm tashmë dhe koha e Edi Ramës ka mbaruar.

Kreu i opozitës bëri thirrje për të votuar masivisht numrin 9 më 25 Prill që ndryshimi të vijë për Zadrimën dhe gjithë Shqipërinë. 

Mirë se ju gjej motra e vëllezër zadrimore e zadrimorë! Jam i mrekulluar nga mikpritja juaj, nga mikpritja  e rinisë Zadrimore! Kësaj treve me nam në historinë tonë të njerëzve punëtorë, të njerëzve të dijes, të njerëzve të sakrificës, të njerëzve që respektojnë dy themele e një populli të qytetëruar, familjes dhe besimit sot. Zadrima e legjendës tonë kombëtare At Gjergj Fishtës. Zadrima e martirëve të besimit në Zot, si At Daniel Dajani. Zadrima ku edhe kleri italian zgjodhi pinjollët e vet për t’ja bekuar e blatuar kësaj toke si Antonio Shara. Zadrima e besimit në Zot. Zadrima e besimit në vlerat e familjes, është sot këtu me një thirrje: ndryshim, bashkim për ndryshim! Bashkë për ndryshim! Votoni numrin 9!

Vëllezër dhe motra, këto janë orët e fundit të 8 viteve vuajtje dhe halle, që kanë pllakosur anembanë vendit. Kanë pllakosur vende të cilat nuk i kanë pasuritë e Zadrimës dhe zadrimorëve. Kanë pllakosur fshatra të zbrazura nga fermerët dhe rinia, por kanë pllakosur edhe këtë tokë dhe këtë mrekulli të Zotit. Që puna dhe djersa juaj e ktheni në një mrekulli të vullnetit dhe të vlerës themelore që shënon përparimin e familjes, përparimin e shoqërisë që është puna e ndershme. Nuk ka në Shqipëri, nuk ka në Ballkan, nuk ka në Europë si djersa e ndershme e zadrimorëve.

Punë, familje, besim në Zot Zadrima i ka të gjitha që të jetë që sot pjesë e Bashkimit Europian. Por në Zadrimë kudo si në Shqipëri këto 8 vite kanë sjellë vetëm  fatkeqësi, vetëm mjerim. Zadrimorët nuk i kanë parë asnjë ditë të vetme hajrin këtyre  8 viteve të mbushura me lëngatë, me dështim për shkak të një njeriu që vuri interesat e tij dhe te kastës së tij mbi interesat e të gjithë shqiptarëve. Fermerët e Zadrimës mbetën si të gjithë fermerët shqiptarë pa subvencione. Hidhini sytë në shtetin më të ri të Europës, tek vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë, fermerët e subvencionuar. Hidhini sytë në Maqedoninë e Veriut e në veçanti tek fermerët, vëllezërit dhe motrat tona shqiptarë atje të gjithë të subvencionuar, vetëm fermeri shqiptar në vendnumëro për 8 vite sepse paratë i keni paguar, çmimin e naftës e keni paguar, çmimin e energjisë e keni paguar, marrëveshjet abuzive me OSHE-në vazhdoni t’i paguani, por kurrë nuk morët mbrapa asnjë qindarkë, as subvencione, as investime.

Ka një autor dhe një përgjegjës që 8 vite me radhë Zadrima e bekuar ndenji në vendnumëro. Dhe ky tani vjen vërdallë prapë pas 8 vitesh dështimesh dhe kërkon dhe 4 vite të tjera. 4 vite të tjera të cilat do të ishin shkatërrimtare për familjet tona, shkatërrimtare për Shqipërinë tonë, ndaj jeni sot këtu për ti dhënë përgjigjen e prerë. Siç ja kemi dhënë e siç do ja japim me 25 prill ku do të ndahemi njëherë e mirë. Edi Rama koha e dështimeve të tua ka mbarua, koha e dështimit tënd ka mbaruar, koha jote mbaron më 25 prill. Më kot lutet që të jetë pjesë e bashkëqeverisjes me koalicionin tonë për ndryshim. Ju e dini pse e bën apo jo? A e dini apo jo? Sepse e ka kuptuar që në 25 prill ai humb dhe Shqipëria fiton. Sepse e ndjen edhe ai, atë që ndjeni ju, atë që ndjej unë, forcën e pandalshme të ndryshimit që po vjen. Ndaj, ju ftoj ta bëjmë këtë ndryshim të pandalshëm, realitet sepse shpresat, besimi, urimet, lutjet ndaj Zotit, sigurisht, janë të gjitha të vlerësuara. Por, ju e dini fare mirë, ju e dini fare mirë se nënat që duan fëmijët e tyre, të rriten këtu dhe të marrin këtu arsimin, e të marrin këtu punësimin që meritojnë, e të themelojnë familjet e tyre këtu, afër jush. Ju e dini fare mirë që, rinia e mrekullueshme e Zadrimës, e Lezhës, e Shkodrës, e mbarë Shqipërisë, të ketë mundësi Europiane në Shqipëri.

Ju e dini mirë, që çdo qytetare e qytetarë, që kërkon punësim të ndershëm, të gjithë ne që duam që veni të eci përpara, të gjithë shqiptarët që e duan Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, mund ta bëjnë këtë realitet. Një ditë, 25 prill, një javë na ndan. Më pak se 200 orë për të marrë vendimin tonë dhe ju e keni shpallur nga zemrat tuaja sepse Zadrima me 25 prill voton numrin 9. 9 për të çliruar Zadrimën nga zgjedha e korrupsionit dhe e  krimit. 9 për t’i kthyer Zadrimës buzëqeshjen. Buzëqeshjen familjeve tuaja. Mundësinë që djersa juaj të jetë një bekim. 9 për të ndërtimin e infrastrukturës së munguar dhe për dhënien e dinjitetit dhe mirëqenies për çdo fermerë.9 që siç shndrit ky diell ashtu të shndrisë përherë sytë e nënave tona. Të shohim rininë, rininë tonë të mrekullueshme të zgjedhë të qëndrojë e të punojë në Zadrimën e bekuar nga zoti, në Lezhë e në Shqipërinë tonë. 9 për ndryshimin. 9 për Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Ndaj ju ftoj çdo minutë nga sot e deri atë ditë që ju duket larg por është vetëm një javë larg. Erdhi, dita po vjen dhe ju o njerëz fisnik dhe punëtorë të Zadrimës, e dini se nuk ka punë më të rëndësishme, punë më të ndershme se puna derë më derë për të mos lënë pa prekur asnjë zemër të patriotëve tuaj, për të mos lënë asnjë votë për ndryshim të shkojë kot, sepse më 25 Prill e keni ju në dorë ndaj shpalleni sot këtu dhe zmadhojeni orë pas ore duke mos lënë jashtë këtij bashkimi askënd, askënd, askënd. Madje as socialistët e zhgënjyer. Vëllezërit dhe motrat tona merrini në këtë bashkim dhe ju thoni ejani për ndryshim votoni numrin 9. Për punësim dhe mirëqenie numrin 9. Për Shqipërinë anëtare të Bashkisë Europiane numrin 9. Bashkë për ndryshim! Zadrima fiton! Lezha fiton! Shqipëria fiton! Zoti e bekoftë Zadrimën! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, deklaroi Lulzim Basha. /tvklan.al







Të ngjashme