Kreu opozitës, Lulzim Basha thotë se Partia Demokratike nuk do të pranojë zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Basha u shpreh se kreu i qeverisë me një grusht mercenarësh mediatikë kanë vënë kujën me dëshpërim kundër kushtit të patejkalueshëm të opozitës, për krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhjet e lira e të ndershme.

“Tani që bien topat e betejës për zgjedhje të lira e të ndershme, kuisin me dëshpërim kundër kushtit të patejkalueshëm opozitar dhe popullor që është njëkohësisht edhe ankthi i përnatshëm i “të sëmurit të Tiranës”. Nuk ka zgjedhje me Edi Ramen Kryeministër dhe me langot e tij të korruptuar e të bërë njësh me krimin dhe drogën. Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm pa Edi Ramën Kryeministër.”

Pas Dekriminalizimit dhe miratimit me konsensus e sipas Venecias të Reformës në Drejtësi, kreu i opozitës Basha thotë se opozita do të fitojë dhe betejen e radhës, atë për zgjedhjet e lira e të ndershme. Sipas tij, vendimi popullor është marrë dhe është i pakthyeshëm.

Tv Klan