“Të kërkojë falje për premtimet e pambajtura”

Teksa kryeministri Rama ia ironizon planin për ekonominë, Lulzim Basha e akuzoi gjatë një takimi që pati me përfaqësues të një biznesi në autostradën Tiranë-Durrës për premtime të pambajtura në 8 vite qeverisje.

“Premtoi ulje taksash për të gjithë dhe mori 3 miliardë taksa më shumë nga njerëzit. ne nuk jemi në situatë normale sepse nuk kemi qeveri normale dhe s’kemi një kryeministër normal, këto dy muajt e fundit një gjë duhet të bënte; të kërkonte falje dhe duhet të ikte një orë e më parë. “

Më tej shkoi në akuza, teksa tha se Rama angazhimet e programit të demokratëve që dikur ia përqeshte, sot po I shet si premtimet elektorale të radhës.

“Tani ka ditë për ditë që shpalos të tjera premtime boshe, s’ka mbajtur asnjë nga premtimet që u dha as sipërmarrjes, as prodhuesve, as sipërmarrjes së vogël, as qytetarëve”.

E njëjta gjë me pagën minimale, 36 mijë Lekë të reja në muaj. Kur e shpallëm, ky ishte, kryeministri që filloi ta tallte dhe ta përqeshte, sot e ka marrë dhe thotë do ta bëjë unë.

Edi Rama e akuzoi se flet ndryshe nga sa vepron me të ashtuquajturit oligarkë, por kryedemokrati është i bindur se çlirimi i ekonomisë nga monopolet është mënyra e vetme për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Me të dy janë zgjedhjet: Ose shpëtimi i ekonomisë ose lënia e ekonomisë në duart e një grupi miqsh të kryeministrit që gllabërojnë gjithë taksat e shqiptarëve me PPP e koncesione”.

Më herët Basha u njoh me shqetësime të biznesit e qytetarëve në njësinë 7 në kryeqytet, me të cilët ndau edhe planin ekonomik të Partisë Demokratike, që sipas kreut të opozitës ndihmon sipërmarrjen dhe shpëton ekonominë nga rrënimi.

“Ne kemi dalë më një plan për të ndihmuar biznesin. Se po qe biznesi mirë do jenë gjithë njerëzit mirë, do jenë punonjësit mirë, do jenë familjet e tyre mirë, mirë do jenë të punësuarit”

Basha i bëri thirrje qytetarëve që të dalin të shumtë në zgjedhje për të rrëzuar me votë qeverinë aktuale dhe për t’i dhënë një shpresë Shqipërisë.

Tv Klan