Kreu i PD-së vë në dyshim vullnetin e PS për marrëveshje

Një ditë pasi në krah të kryeparlamentarit Ruçi i bëri thirrje palëve të ulen në tryezë për gjetjen e një dialogu, një tjetër mesazh vjen nga Presidenti i Parlamentit të Austrisë, Ëolfgang Sobotka.

Zyra e shtypit e Partisë Demokratike sqaron se në takimin e zhvilluar me kreun e opozitës, zoti Sobotka e ka cilësuar reformën zgjedhore dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, themelore për perspektivën e mëtejshme të Shqipërisë.

Pas takimit Lulzim Basha shprehu gatishmërinë e opozitës për të vijuar me këtë proces, ndonëse një ditë më parë prezantoi një reformë radikale që tejkalon atë elektorale, duke paralajmëruar ndryshime të thella kushtetuese.

“I shpreha vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar për të bërë gjithçka për reformën zgjedhore dhe zbatimin e kësaj reforme përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Propozimet e tjera që unë kam parashtruar janë propozime, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e kontrollit dhe balancave dhe rikthimin tek qytetarët të pushtetit që sot u është vjedhur nga ky pushtet dhe nga bashkëpunimi i krimit të organizuar me politikën.”

Por sa e mundur është përfundimi i reformës brenda 15 Marsit? Lulzim Basha pengesën e sheh tek kundërshtari politik, të cilin e bën përgjegjës për çdo pengesë të reformës elektorale.

“Fokusimi tek shtyrja e datës 15 Mars, tregon mungesën e vullnetit nga ana e PS. Këtu nuk kam gjë tjetër për të shtuar veç t’ju them se çdo ditë që kalon është me kosto të madhe për qytetarët shqiptarë. Çdo makinacion është i papranueshëm për opozitën dhe për Partinë Demokratike”.

Krahas propozimeve të opozitës që tashmë po diskutohen në tryezën e reformës elektorale, Lulzim Basha thotë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga qeveria kalimtare, duke kërkuar njëherazi edhe krijimin e parlamentit me dy dhoma, ku 100 deputetë të jenë deputetë dhe 40 senatorë.

Tv Klan