“Mbështetje të plotë edhe për studentët nga këto familje”

Në një takim me një familje në nevojë  në Lundër të të Tiranës, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se programi i demokratëve pas zgjedhjeve të 25 prillit do të ofrojë  mbështetje të plotë për tarifat e universitetit për studentët nga familje me të ardhura minimale dhe tekste falas deri në klasën e nëntë.

“Deri në klasë të 9-të do të ketë këtë përkrahje. Tekste falas, deri në klasë të 9-të tekstet do të jenë falas, por tekste të reja. Ne e kemi propozuar këtë në vitin 2017-të. Këta nga viti 2018-të e bënë por e bënë me një marifet, që jo po duhet të jetë, nuk duhet ta zhgarravisësh, duhet ta kthesh prapë. Jo, jo! Shqipëria i ka mundësitë për t’i blerë tekste falas çdo fëmije. Do kenë tekstet falas dhe do kenë këtë regjimin pas shkolle, ku do kenë mundësi, do t’i pajisim edhe me teknologji, se jo vetëm pandemia që i detyrojë që i detyrojë tani të punojnë me lap-topa, me tablet e me celularë, po kush ka, a keni ju? Me çfarë e bëni mësimin juve, online apo në shkollë?”

Basha tha se Partia Demokratike do të angazhohet për të krijuar kushte për fëmijët që të qëndrojnë në shkollë edhe pas mësimit, duke iu garantuar një vakt të paguar nga shteti.

“Në zonat rurale do fillojë një program. Mbaroi shkolla në orën 12.00 apo në orën 13.00, do rrijë e hapur shkolla deri në orën 16.00 apo deri në orën 17.00, që fëmija të bëjë detyrat aty, të mësojë kompjuterin, të mësojë ndonjë gjuhë të huaj, të mos rrijë rrugëve dhe do t’i sigurojmë edhe një vakt për të ngrënë. Mund të jenë familje me të ardhura të mira që mund ta sigurojnë vetë, po ka shumë familje që nuk e sigurojnë dot”.

Basha akuzoi mazhorancën qeverisë se ka lënë në harresë familjet në nevojë.

“Ti shtetit nuk i ke lënë asnjë detyrim pa ia shlyer, shteti është borxhli te ty, se shteti ka për detyrë t’i ndihmojë njerëzit. Detyra kryesore e qeverisë, arsyeja pse ka qeveri është që të ndihmojë njerëzit, çfarë arsye tjetër ka që të ketë qeveri”.

Kreu i opozitës tha se pas zgjedhjeve të 25 prillit çdo familje e re që do blejë banesë  do të ti paguhet 100 % interesi i kredisë.

Tv Klan