Programi “Historia ime”, në TV Klan solli ditën e sotme historinë e veçantë të dashurisë të çiftit Lirie dhe Luan Laçi.

Ata janë prindër të dy fëmijëve dhe janë bërë 5 herë gjyshër. Gjithçka ishte duke shkuar mirë në familjen e tyre, deri në momentin kur zonja Lirie pëson hemoragji celebrale.

Ishte vera e vitit 2015, kur ajo papritur rrëzohet në rrugë, më pas kalimtarët e çojnë në spital dhe aty qëndron për rreth 21 ditë në koma. Më pas reagon, por nuk mund të fliste. Edhe sot, bashkëshorti i saj shprehet se ajo e ka të pamundur të ecë dhe të flasë.

Luan Laçi: Na u desh që në moshën më të re që ishim ne të martuar, unë të vija njëherë në javë në shtëpi, me sakrifica, të sillja atë rrogën gruas time. Çdo gjë ja kam besuar asaj dhe nuk jam pishman, se çdo investim i dedikohet asaj.

Mirela Milori: Pra ajo e ka menaxhuar shtëpinë! Ti punoje, lekët i menaxhonte Liria dhe kështu krijuat familjen dhe rritët edhe fëmijët. Ka qenë menaxhere e mirë, nikoqere siç thuhet?

Luan Laçi: Shumë! Unë prandaj kam ardhur edhe këtu, t’i them publikisht që pavarësisht atyre problemeve që kemi ne, unë deri në fund fare do jem natë, ditë… (emocionohet)

Mirela Milori: Na emocionuat!

Luan Laçi: Janë emocionet e asaj që nuk arrij dot ta ngre në këmbë! Dhe ajo ka bërë shumë për mua!

Mirela Milori: Çfarë ndodhi në vitin 2014, që të kuptojnë edhe njerëzit emocionin tonë dhe këtë dedikimin tënd?

Luan Laçi: Në vitin 2014, kjo doli në pension dhe në vitin 2015, kur ishte ajo vapa e tmerrshme atëherë, kjo ishte në Ali Demi, se atje i ka kjo njerëzit e vet. Edhe papritur në mes të rrugës i bie hemoragji celebrale. Njerëzit e marrin, vjen dhe ambulanca e çuan me urgjencë, aty na lajmëruan edhe ne shkuam edhe neve. Duhet të vinim firmën që të bënte skanerin dhe hyri në terapi të plotë tek spitali numër 5 dhe atje ndenji 28 ditë.

Mirela Milori: Ndenji 28 ditë në çfarë gjendje? Reagonte?

Luan Laçi: Jo, jo!

Mirela Milori: Ishte pothuajse në gjendje kome?

Luan Laçi: Ishte në gjendje kome. Ne rrinim përjashta, merrnim me ndonjë informacion. Ata si rregull e kanë 21 ditë, që të rrijë në atë gjendje. Kjo e kaloi ato caqet, e imagjinoni si janë ato emocionet. Më pas ajo hapi sytë, por nuk e dinte se ku ishte.

Mirela Milori: Domethënë vetëm reagoi, por për të folur?

Luan Laçi: Jo për të folur, akoma nuk flet!

Mirela Milori: Pra mbas 21 ditësh, ajo vetëm reagoi dhe hapi sytë?

Luan Laçi: Mbas 4 ditëve, në 12 Gusht vjen mjeku i pavionit edhe thotë që duhet ta nxjerrim se këtu ka infeksione dhe nuk i bën mirë, jo andej jo këtej. Ne e besuam atë mjekun edhe pranuam që ta nxjerrim. Po të kisha qenë unë në vend të kësaj, kjo nuk do kishte pranuar që ta nxirrnin në atë mënyrë. Por ne pranuam, firmosëm.

Mirela Milori: Firmosët për të dalë, po ku do shkonit, në shtëpi ?

Luan Laçi: E morëm në shtëpi dhe të gjitha gjërat ja morëm në shtëpi, çdo gjë ja kemi bërë ne, më të gjitha kursimet që kemi patur.

Mirela Milori: Çfarë diagnoze i kanë dhënë?

Luan Laçi: Vetëm këtë ka, që është një kanal kryesor që shpërndan gjakun, për gojën, për çdo gjë, thonë që është një lloj shpërndarësi. I kam thënë nëse ndërhyet? Më ka thënë që nuk ndërhyet fare, çoje ku të duash, nuk ndërhyet më.

Mirela Milori: Çfarë ju kanë këshilluar mjekët?

Luan Laçi: Na thanë vetëm bëj fizioterapi dhe mbaje me ilaçe./tvklan.al