Një problematikë e ngritur kohë më parë, nuk ka marrë zgjidhje. Aurel Demika dhe Niko Emini nga fshati Rov dhe Rrëmbec, i qarkut të Korçës, ankohen në “Stop”, se në mënyrë të padrejtë, u është hequr licenca për aktivitet në linjat interurbane.

Ata thonë, se kanë 10 vjet, që e bëjnë këtë punë, konform të gjitha ligjeve dhe rregullave. Tashmë fshatarët e zonës duhet të dalin në rrugë në pritje të makinave të rastit, për të shkuar në Korçë.

Ky ka qenë një problem i ngritur që në sezonin veror nga ana e banorëve të këtij qarku, por duke pasur parasysh që ende nuk është dhënë një zgjidhje nga ana e Bashkisë Maliq, emisioni “Stop” vendosi të transmetojë këtë problem.

maliqi

Por cila është arsyeja që janë ndërpresë licencat nga ana e Bashkisë së Maliqit për këtë linjë? Ja çfarë thonë shoferët:

“Unë kam që në mars të 2005, që kam filluar aktivitetin tim për transport udhëtarësh, një biznes i vogël, mirëpo deri më 2 prill të 2016 pasi na është ndërprerë. Tani kemi hasur probleme dhe jemi pa punë sepse bashkia nuk na i rinovon licensat”.

Keni kërkuar një takim me kryetarin e Bashkisë Maliq?

“Unë me kryetarin kam bërë tre deri në katër herë takime, na ka pritur mirë dhe na ka thënë, që do ta zgjidh unë këtë problem.”

Ndërkohë shoferi i linjës Rov – Rrëmbec shprehet për “Stop” se:

“Kam që në vitin 2012 që punoj, me licencë, me taksa të paguara, por tani na është ndërprerë licensa. Kemi bërë shumë herë kërkesa drejtuar kryetarit të bashkisë Maliq, nënkryetarit dhe nuk kemi marrë asnjëherë, asnjë lloj përgjigje për të zgjidhur këtë problem. Ne kemi bllokuar makinat, fëmijët i kemi nëpër shkolla dhe s’kemi asnjë të ardhur dhe ata nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje. Familja ime përbëhet nga gjashtë pjesëtarë, ku asnjëri prej tyre nuk punon, vetëm unë punoja, por tashmë edhe mua më ndërprenë punën.”

Por pas pezullimit të linjës ndërmjet fshatrave Rëmbec dhe Rov, banorët e kësaj zone kanë dalë në protestë për ndërprerjen e saj. Ata tashmë janë pa një linjë dhe janë të detyruar të lëvizin në këmbë.

“Kishim një linjë fugorni, por na e ndërprenë dhe jemi të detyruar të vijmë në këmbë. Ne jemi me fëmijë të vegjël, të sëmurë, por kështu nuk mund t’ia dalësh.”

Për të shtuar sërish këtë linjë, sipas ligjit duhet një kërkesë drejtuar këshillit të qarkut, i cili ky i fundit në mbledhjen më të parë të bëjë miratimin e kësaj kërkese. Punonjësi pranë këshillit të qarkut shpjegon më tepër rreth kësaj procedure.

“Procedura që ndiqet në këshillin e qarkut, në fillim duhet të dërgojë Bashkia kërkesën, për miratimin e kësaj linje bashkangjitur edhe me oraret përkatëse vajtje – ardhje dhe në mbledhjen e ardhshme të këshillit të qarkut të miratohet.”

Kreu i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topciu thotë për “Stop”, se do ta zgjidhë çështjen në mbledhjen më të parë të këshillit të qarkut të Korçës.

gezim topciu

“Jam njohur me problemin në fjalë, dua të them që Bashkia e Maliqit ka dhënë një linjë autobusi nga Rëmbeci në drejtim të Korçës, por janë linja ndërqytetase të cilat paraprakisht miratohen me një vendim të qarkut ku ka të bëjë midis dy bashkive dhe në momentin kur persona të tjerë kanë ardhur për të kërkuar brenda çdo rregulli, që edhe ata të pajisen me leje, nga ana e Bashkisë së Maliqit është bërë me dije, që është dhënë një leje për këtë linjë nga Rëmbeci drejt Korçës. Për të marrë linja të tjera kërkohet një miratim nga këshilli i qarkut, për të cilën, ne kemi kërkuar dhe ndoshta do të vazhdojmë të kërkojmë, që të pajisemi me këtë leje apo vendim të këshillit të Qarkut Korçë, që të bëjmë të mundur të kemi sa më shumë persona që, ofrojnë shërbimin e transportit rrugor ndaj qytetarëve.”

Nga ky prononcim që kryetari Gëzim Topçiu ka dhënë kohë më parë duket se asgjë nuk ka ndryshuar.

Mbledhja e Këshillit të Qarkut është bërë, por licenca e këtyre shoferëve që dispononin linjën Rov – Rrëmbec nuk u rinovua. Vetë kryetari i Bashkisë Maliq, nuk ka pranuar që kjo kërkesë të miratohet. Ndaj banorët e kësaj zone janë pa një mjet transporti për të udhëtuar dhe vetë shoferët janë pa punë. /tvklan.al