Në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të një dite më parë, ku flitej për dështimin e takimit Rama – Basha thuhej se;

“Qeveria shfaqi fleksibilitet, në fund, ndërsa opozita nuk bëri të njëjtën gjë”.

Arsyen e kësaj fraze e kanë zbuluar për “

Zërin e Amerikës”

burime ndërkombëtare.

Sipas tyre, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian i paraqitën qeverisë dhe opozitës, javën e shkuar, një plan kompromisi për Reformën në Drejtësi.

Plani, i cili i paraprinte takimit mes dy udhëheqësve politikë shqiptarë, iu kërkonte të dy palëve të përshtasnin pozicionet e tyre.

Burimet saktësuan se, 

“Qeveria e pranoi planin e kompromisit 100% ndërsa opozita pranoi shumë nga aspektet e propozimit, por këmbënguli për metodën e vendeve të rezervuara për përzgjedhjen e këshillave të ndryshme”.

Sipas të njëjtave burime, pikërisht kjo këmbëngulje nga ana e PD, është motivi pse Ambasada e SHBA-ve u shpreh se opozita nuk dëshmoi fleksibilitet.

Tv Klan