Sfidat kryesore me të cilat përballet sot Bashkimi Europian janë në fokusin e samitin dy ditor të Salsburgut, ku takohen 27 liderët e Unionit dhe kryeministrja britanike Theresa May.

Brexit është pika më e nxehtë e Samitit informal. Londra dhe Brukseli janë ende larg së gjeturi një rrugë të përbashkët. Marrëdhëniet tregtare post-Brexit dhe plani i Kryeministres May për një marrëveshje të butë, ka ngjallur mjaft kundërshti në Britaninë e Madhe. Po ashtu, kufiri me Irlandën dhe rregullat e lëvizjes në të vetmen lidhje tokësore që Britania e Madhe ka me BE, është një temë e vështirë, ende e pazgjidhur mes palëve.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ngriti mundësinë e një samiti të jashtëzakonshëm në muajin Nëntor, por një skenar pa marrëveshje, më i keqi për të dyja palët, mbetet i pranishëm.

Sfida e dytë që pritet të diskutohet është emigracioni. Takimet informale mes ministrave të Mbrojtjes kanë dështuar deri tani. Italia ngre zërin se po lihet e vetme, por zgjidhja përfundimtare nuk duket në horizont.

Tv Klan