Një ditë pas ftesës publike të Hashim Thaçit për një debat televiziv me ish-Kryeministrin Berisha , ky i fundit i kthen përgjigje Presidentit kosovar, përse nuk mund të vihet përballë tij.

Në një prononcim për ‘Gazetën Express’, Berisha thotë se më mirë preferon të dalë në debat me Vuçiçin sesa me shërbëtorin e tij.

“Po të jetë për debat, përpara një argati shqipfolës albanofob, dhe një padroni të tij në Beograd, për ballafaqim do të preferoja këtë të fundit”.

Në mbrojtje të Thaçit doli Kryeministri Rama. Përmes Twitterit, ai i renditi një sërë akuzash për lidhje të paraardhësit të tij me Beogradin.

“Furnizoi me naftë tanket e Kasapit të Beogradit. Bëri thirrje për të refuzuar Rambujenë. Shpalli terroristë marksistë-leninistë luftëtarët e UÇK. Ibrahim Rugova s’denjoi t’i fliste më derisa vdiq. Sot e quan Presidentin e Kosovës argat albanofob të Beogradit! Vesi del me shpirtin”.

Berisha  e akuzon Thaçin se përmes idesë për korrigjim kufijsh, bashkë me Vuçiçin po inskenojnë planin për ndarjen e Kosovës.

Tv Klan