Berisha: Me protestën ju themi liderëve të BE-së se i korruptuar është Rama, ne jemi antikorrupsioni shqiptar


Berisha: Me protestën ju themi liderëve të BE-së se i korruptuar është Rama, ne jemi antikorrupsioni shqiptar

18:02 02/12/2022

Në takimin që po zhvillon me qytetarë të Njësisë 7 të Tiranës, kryedemokrati Berisha e ka vënë theksin tek protesta që ka thirrur opozita më 6 Dhjetor, ditë në të cilën do të mbahet dhe samiti Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor në kryeqytetin shqiptar.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Berisha ka thënë se do të jenë në shesh për të ju thënë liderëve të Europës që “i korruptuar është Kryeministri Rama” teksa ka shtuar se “ata që do të pretestojnë janë antikorrupsioni shqiptar”.

Sali Berisha: Ne dalim në shesh sepse protesta si e tillë është një detyrë dhe e drejtë kushtetuese e jona. Ne dalim në shesh sepse nuk përfaqësohemi nga ai që ulet me presidentë e kryeministria të BE-së. Pavarësisht se strategjia ka përcaktuar Tiranën si qytetin e këtij samiti, nderi i Shqipërisë, i Tiranës, i yni, dinjiteti ynë kërkon që ne në datën 6 ora 12:00 të jemi në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Protestat nuk kanë asgjë negative, përkundrazi me protestën tonë ne i shpëtojmë nderin, fytyrën, dinjitetin, Shqipërisë dhe shqiptarëve.

A nuk është Europa dhe bota që thotë se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë? Nuk po e themi ne, por po e thonë institucionet e besimit të mirë Europiane dhe botërore. Atëherë çfarë do të bëjmë ne që kemi mysafir dinjitarët më të lartë të Europës; do të jemi në shesh për të ju thënë se i korruptuar është Edi Rama me qeverinë e tij dhe ne jemi antikorrupsioni shqiptar. Ne nuk jemi të korruptuar, por jemi viktima të këtij korrupsioni.

Shqipëria jo nga ne, por nga mediat evropiane dhe botërore është cilësuar si ‘Kolumbia e Europës’ është cilësuar narko shteti i parë dhe i vetëm në Europë dhe kjo jo pa baza.  Ju e shikoni, kush e bënte drogën në Shqipëri. 3 ministra droge emërohen njëri-pas tjetrit në Ministrinë e Brendshme. Edhe ky që është sot është deri në vesh me drogën, sepse është Edi Rama, sepse ata nuk i kanë caktuar qytetarët, por Edi Rama.  Sepse ai adapton platformën e drogës. Atëherë ne, qytetarët që pësojnë pasojat e kësaj politike, nuk mund të jenë atë ditë, përveç se në shesh. Për të ju thënë atyre, burra dhe grave të shquar se ne nuk jemi droga e krimi. Krimi është ai që keni në tavolinë. Ne jemi kundër krimit, kundër drogës./tvklan.al









Të ngjashme